Muaji dhjetor ka qenë i ngarkuar me mjaft aktivitete artistiko-kulturore për nxënësit dhe mësuesit e shkollës artistike “Jan Kukuzeli”.

Ky muaj festiv, me një kalendar të pasur aktivitetesh u përmbyll mbrëmjen e së mërkurës me koncertin e dhënë në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ku pjesëmarrës ishin mbi 50 artistë të të gjitha grupmoshave.

Mbrëmja festive e fundvitit bëri bashkë orkestrën frymore të qytetit, nën dirigjimin e Saimir Kalajës, si dhe orkestrën dhe korin e shkollës artistike duke sjellë për artdashësit një repertor veprash klasike dhe kontemporane, mjaft të dashura për publikun.

“Ky është koncerti i fundvitit i orkestrës së harqeve, asaj frymore, ansamblin e kitarave etj. Ky koncert është ideuar nga unë, dirigjenti i shkollës, Orges Mema dhe drejtuesi i bandës së qytetit Saimir Kalaja. Risia e këtij koncerti është promovimi i talenteve të reja. Me këtë koncert synojmë të ruajmë këtë traditë, që na e kanë trashëguar”,- tha drejtori i shkollës, Dashamir Mehmeti.

“Shkolla jonë ka pasur gjithnjë një traditë të shumë të mirë përsa i përket degës së harqeve, painos, por edhe profileve të tjera. Vlen për t’u përmendur riorganizimi i orkestrës, që ka datuar që në shtator dhe ky ishte përfundimi i këtij viti të suksesshëm”,- shtoi dirigjenti i orkestrës së shkollës, Orges Mema.

“Sanremo në Durrës” dhe edicioni i IX I Festivalit të Kitarës ishin dy nga aktivitetet më të rëndësishme të vëna në skenë përgjatë 10 ditëve të fundit nga instrumentistët dhe këngëtarët e shkollës “Jan Kukuzeli”, e cila prej dekadash tashmë përgatit artistët e ardhshëm të Durrësit.   

M.B.