Një mbrëmje e veçantë ka qenë ajo e së premtes në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës.

Ish-nxënës të kësaj shkolle u rikthyen për të performuar në sallën “Black Box”, duke u dhuruar të pranishmëve emocione të vecanta.

Rikthimi i këtyre instrumentistëve në shkollën ku mësuan notat e para dhe u formuan si artistë mbart një domethënie të veçantë, pasi asnjëherë nuk duhen harruar rrënjët prej nga vijmë.

Për secilin prej tyre, kjo natë ringjalli emocione të shumta, pasi kjo shkollë, klasat e saj, instrumentat dhe pedagogët u risjell në memorie nostalgjinë për vitet e dikurshme dhe koncertet e dhëna para prindërve dhe mësuesve.

Repertori që interpretuan në koncert ishte përzgjedhur nga vitet ’70.

Nën ritmet e Blues & Jazz apo muzikës së lehtë shqiptare, sjellë për admiruesit e muzikës me një këndvështrim origjinal, këta djem e vajza u dhuruan të pranishmëve për rreth një orë me radhë muzikë të mirë dhe interpretim plot muzikalitet duke rrëmbyer me plot meritë duartrokitjet e tyre.