Një mbrëmje festive dedikuar dirigjentit të njohur durrsak Ermir Dizdari. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, për “Mjeshtrin e madh” ishte realizuar edhe një dokumentar që përcillte në mënyrë kronologjike gjithë karrierën dhe kontributin e dhënë prej tij për disa dekada në fushën e muzikës.
Kreu i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, Meçan Hoxha dhe kompozitori Ylli Ramzoti vlerësuan rolin e mjeshtrit Dizdari për zhvillimin e shumë institucioneve muzikore në Durrës dhe më gjerë.
“Obligimi për Ermirin është nderim për vlerat e qytetit tonë. Ermiri e meriton këtë vëmendje”,- tha Hoxha.
“Profesor Ermiri kurrë nuk e shkëputi vëmendjen nga Durrësi. Edhe sot ai temën më të prekshme e ka për artin durrsak, nëse ia hap këtë temë, ai nuk ndalon”,- tha Ramzoti për “DurrësLajm”.
Megjithë moshën që i peshon mbi supe, mjeshtri Dizdari duket ende i palodhur me energjinë që e karakterizon. Kompozitori Ramzoti na kujton një detaj interesant, që dëshmon dashurinë e tij për artin dhe muzikën.
“Profesor Ermirin nëse e pyet tani se kush janë anëtarët e bandës frymore të qytetit ndër vite i din përmendësh, me aq pasion ka punuar”.
Gjatë mbrëmjes festive kushtuar Dizdarit, dirigjenti i njohur u nderua me një sërë titujsh nga Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, Federata e Paqes Universale etj.
M.B.