“Milanin e kam mësuar unë që të luajë futboll”. Ka qenë kjo një nga frazat më të famshme të Silvio Berluskonit, i cili ka dashur gjithmonë që të thonte fjalën e parë në skuadër, sidomos për lojën që ofronin kuqezinjtë.Madje, në shumë raste, trajnerët e tij janë akuzuar se ka qenë presidenti ai që ua bënte formacionin dhe nuk është diçka që nuk ka ndodhur, duke parë se sa herë që dikush hidhte në fushë një ekip që nuk i pëlqen, Berluskoni nuk nguronte t’i thumbonte, siç ka bërë me disa që renditen më poshtë:
Për Zakeronin: “Rrobaqepësi i shpërqendruar, mund të prishë copën më të mirë”.
Për Tabarezin: “Tabarez kush? Një këngëtar i ‘Sanremos’?”.
Për Ançelotin: “Ishte faji i tij që nuk e fituam kampionatin”.
Për Leonardon: “Është kokëfortë dhe Milani luan keq për faj të tij”.
Për Alegrin: “Kupton k…”.
Për Sedorfin: “Në Çesano (fshat i Italisë) kam takuar shumë njerëz që mund të drejtojnë Milanin”.
Për Inzagin: “Me Inzagin kemi pasur shumë vizione të larmishme”.
Trajnerët ndër vite të Berluskonit
1) Nils Liedholm (tri aventura): 1963-1966, 1977-1979, 1984-1987
2) Arrigo Saki (dy aventura): korrik 1987-1991, 1996-1997
3) Fabio Kapelo (tri aventura): 3 muajt e fundit të kampionatit 1987, 1991-1996, 1997-1998)
4) Oskar Tabarez (korrik 1996 – dhjetor 1996)
5) Alberto Zakeroni (korrik 1998 – mars 2001)
6) Çezare Maldini (dy aventura): 1972-1974, por mbylli edhe sezonin 2000-2001
7) Fatih Terim (korrik – nëntor 2001)
8) Karlo Ançeloti (nëntor 2001 – 2009)
9) Leonardo (korrik 2009 – maj 2010)
10) Masimiliano Alegri (qershor 2010 – janar 2014)
11) Klarens Sedorf (janar 2014 – qershor 2014)
12) Filipo Inzagi (2014 – 2015)
13) Sinisha Mihajloviç (qershor 2015 – prill 2016)
14) Kristian Broki (prill 2016 – maj 2016)
15) Vinçenco Montela (qershor 2016 e në vazhdim).
Disa nga frazat pikante të Silvios
*Gjithçka që më rrethon është e pafe, por Milani është i shenjtë (27 korrik 1998).
* Flitet për Milanin e Sakit, të Zakeronit dhe të Ançelotit, por nuk kam dëgjuar kurrë të flitet për Milanin e Berluskonit. Jam unë ai që prej 18 vitesh bëj formacionin, vendos rregullin dhe blej lojtarët (2004).
*Legjendat e ekipit nuk shiten dhe nuk blihen. Më kujtohet që kam blerë Nestën, i cili ka qenë një legjendë e Lacios. Nuk kam bërë kurrë një ofertë për Nestën kur isha president i Milanit, sepse mendimi im ishte që ai nuk duhej të largohej nga kryeqyteti. Më pas, kur prej problemeve ekonomike Lacio e nxori në merkato dhe vetëm atëherë kam ndërhyrë për ta marrë mbrojtësin që ishte shumë pranë akordit me Juventusin (9 shkurt 2006).
*Ronaldo? E detyrova të zgjasë flokët që të bëhej më simpatik, por e teproi, tani është shumë i shëmtuar. Do ta dërgoj te berberi im, megjithëse më kanë thënë që “Fenomeni” bën reklamën e një produkti për zgjatjen e flokëve (18/12/2007).
*I mësova Milanit se si luhet futboll (23/03/2001).
*Baloteli? Një mollë e kalbur në dhomën e zhveshjes që mund të infektojë edhe të tjerët. Kam dhënë një mendim për Balotelin si individ, ndaj nuk do të pranoja që të ishte në organikën e Milanit (07/01/2013).
*Shenjtëria juaj, më lejoni t’ju them se ngjasoni shumë me Milanin tim. Në fakt ju, ashtu si ne, shkoni shpesh jashtë për të dhënë një imazh fitimtar, që është ideja e Zotit (1998).
*Kemi detyrimin të dhurojmë spektakël, pasi jemi imazhi më i njohur i Italisë, pas mafies dhe picës (1995).
*Lamtumira e Shevçenkos? Nuk ishte dëshirë e lojtarit, ndaj nuk është ai shkaku: thjesht iu nënshtrua dëshirave të bashkëshortes. Shpesh gratë janë “shefi” që s’u thua dot “jo” (14/12/ 2006).