Sipas një raporti, Mbretëresha Elizabeth do t’i drejtohet ligjit, si një përgjigje ndaj sulmeve të përsëritura nga Princi Harry dhe Meghan Markle.
“Mbretëresha mendon se duhet t’u thotë mjaft,” tha një burim mbretëror për The Sun, që raportoi se ndihmësit e lartë të pallatit janë në bisedime me ekspertë të shpifjes. “Ekziston një kufi se sa mund të pranohet dhe mbretëresha dhe familja mbretërore kanë duruar deri më tani. Por ata do t’i drejtohen ligjit. Harry dhe Meghan duhet të ndërgjegjësohen dhe të dinë që sulmet e përsëritura nuk do të tolerohen.”
Çifti hoqi dorë nga jeta mbretërore dhe tani janë të vendosur në SHBA, në një vilë në Montecito, Kaliforni. Por vitin e fundit deklaratat e tyre për familjen mbretërore kanë qenë nga më shokueset.
Në intervistën me Oprah, Markle tha se jeta me anëtarët e familjes mbretërore e bëri atë të mos donte të ishte më gjallë dhe të mendonte vetëvrasjen.
Ekipi i mbretëreshës po shqyrton dërgimin e paralajmërimeve ligjore për Penguin Random House, që vitin e ardhshëm do të publikojë kujtimet e Princit Harry.
“Nëse dikush emërohet në libër dhe akuzohet për diçka drejtpërdrejt, kjo mund të jetë shpifje dhe gjithashtu mund të cënojë të drejtat e tyre për një jetë private familjare,” vazhdoi burimi. “Ka shqetësime se publiku amerikan po bie pre e asaj që thonë Harry dhe Meghan.”