Kompania britanike farmaceutike Boots ka bërë të ditur se planifikon që gjatë javëve të ardhshme në lokalet e saj të ofrojnë test 12-minutësh për koronavirusin e ri (COVID-19).
Tampon testet do të bëhen nga sistemi i kujdesit shëndetësor LumiraDx me bazë në Mbretërinë e Bashkuar dhe një test për klientët do të kushtojë 120 paundë (156 dollarë).
Boots po ashtu do të ofrojë një shërbim testimi 48-orësh në dhjetë lokale në të gjitha qytetet kryesore të Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë në Londër, Birmingham, Manchester, Edinburg dhe Gasgow. Kompania farmaceutike synon të rrisë kapacitetin në 50 lokale në të gjithë Britaninë.
Testet do të jenë për ata që nuk kanë simptoma të koronavirusit dhe që duan të testohen, ndërsa personave që kanë simptoma do t’u kërkohet të përmbahen nga shkuarja në lokale dhe të ndjekin udhëzimet e qeverisë nga shkaku i frikës nga përhapja e virusit.
Drejtori menaxhues i kompanisë Boots, Seb James, në një intervistë për Sky News tha se qëllimi i skemës së re është “lehtësimi i presionit” ndaj Shërbimit Kombëtar të Shëndetit.
James tha se rezultatet e testit aktualisht nuk pranohen nga linjat ajrore që kërkojnë një rezultat negativ të virusit për pasagjerët para se të futurojnë, sepse rezultatet e shpejta përpunohen në lokal dhe jo në një laborator të regjistruar. Megjithatë, ai shprehu shpresë se rezultatet së shpejti do të pranohen edhe nga linjat ajrore.
Testet 48-orëshe janë 99 për qind të sakta, njoftoi James, duke shtuar se testet 12-minutëshe janë 97 për qind të sakta.
“Është një mrekulli e teknologjisë dhe mendoj se është vetëm fillimi i asaj si teknologjia do të na ndihmojë në zgjidhjen e kësaj krize”, u shpreh James.