Një mbret, që i pëlqen shumë gjumi, por jo të lërë të lirë djalin e tij, u ngjit në skenën e teatrit të Durrësit.

Një iniciativë novatore, që bashkon krijimtarinë me pedagogjinë, sjellë në jetë nga një grup studentësh të Fakultetit të Edukimit nga universiteti i Durrësit.

“Kjo pjesë teatrale del në siglën e Departamentit të Letërsisë pranë FE në universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ dhe është në kontekstin e ndërthurjes së teorisë me praktikën.
Për të thënë që fakulteti i Edukimit dhe dega ‘Mësues për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë’ nuk nxjerr vetëm teoricienë të mirë, pra që rrahin krah teorisë, sepse janë mësues të ardhshëm dhe realitetin duhet ta prekin së pari ato
”, tha për kamerën e “DurrësLajm” pedagogia Alma Dema, ideatorja e shfaqjes.

Vepra përcjell tre mesazhe të rëndësishme, që vijnë sot më të nevojshme se kurrë.

Dema theksoi se “‘Mbreti gjumash’ është ajo pjesë teatrale që besoj se i nevojitet momentit në të cilën ndodhet shoqëria e qytetit të Durrësit, por edhe gjithë Shqipërisë.
Ka në përmbajtjen e saj 3 mesazhe kryesore. Mesazhi i parë është që fëmijët nuk duhet t’i lëmë përpara televizorit, përpara ekraneve, të cilat në njëfarë mënyre po i tërheqin fëmijët në një botë që është totalisht virtuale.

Së dyti i bëhet një lloj apeli prindërve, që i lënë fëmijët vetëm dhe nuk bëjnë një fëmijë të dytë. Socializimi, aftësia që fëmija duhet të zgjojë për të luajtur dhe qeshur me njëri-tjetrin.

Dhe së treti, i bëjmë një lloj apeli institucioneve, të cilët duhet t’u krijojnë më shumë mundësi fëmijëve për t’u socializuar. Të krijojnë më shumë parqe e aktivitete.”

Shfaqja korri sukses dhe u mirëprit nga artdashësi durrsak, që e duartrokiti kastin e aktoreve të reja në fund.

K.Gj.