Provoi veten fillimisht tek Erzeni dhe më pas te Teuta, por mbrojtësi 23-vjeçar nuk arriti të përshtatej në Kategorinë Superiore, dhe tani ka vendosur që karrierën ta vazhdojë te një klub shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ardit Iljazi edhe zyrtarisht rikthehet në futbollin maqedonas, këtë herë duke përzgjedhur fanellën e Voska Sport, skuadër kjo që këtë vit për herë të parë po garon në Ligën e Parë. Informacione të afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se palët janë dakorduar për kushtet dhe se pritet vetëm zyrtarizimi.
Mbrojtësi 23-vjeçar, në futbollin shqiptarë u transferuar në verën e vitit 2022, kur nga FC Shkupi iu bashkua skuadrës së Erzenit. Iljazi e nisi karrierën e tij në vendlindje te Gostivari, ku luajti vetëm në Ligën e Dytë, ndërsa debutimin e tij në elitën e futbollit maqedonas e bëri me 12 gusht të vitit 2019-të, kur me fanellën e FC Shkupit luajti në Çair kundër Makedonija Gj.P. Në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, Ardit Iljazi numëron gjithsej 37 ndeshje.