Milani është gati të godasë sërish në merkaton e janarit dhe për ta bërë këtë ata po mendojnë për një sërë emrash për mbrojtjen. Duke pasur parasysh dëmtimet afatgjatë të Kalulusë dhe Pelegrino dhe problemet e vazhdueshme fizike të Kjaerit, Milani do të detyrohet të kthehet në treg për të nënshkruar me një qendërmbrojtës të ri në janar.

Emrat që lidhen me kuqezinjtë janë të ndryshëm: mes tyre janë veçanërisht Jakub Kivior i Arsenalit dhe Benua Badiashil i Çelsit, por dy klubet angleze do të duhet të tregohen të hapur për huazimin. “Djalli”, njëkohësisht synon edhe Loid Kelin, kapitenin e Bërnmëthit, i cili, megjithatë, me siguri nuk do të lejohet të largohet në janar. Lajmi është bërë i ditur nga “La Gazzetta dello Sport”, që nuk heq as Huan Mirandën nga lista e afrimeve të janarit. Spanjolli ka një kontratë deri në qershor me Betisin që po bën gjithçka për të rinovuar.