Mbrojtësi i Kosovës, Mërgim Vojvoda është aksidentuar në Torino.

Futbollisti që luan për klubin e Torinos është përfshirë në një aksident rrugor, ku Mercedesi i tij është përplasur me një makinë Jeep në rrugën Galileo Ferraris, në kryeqendrën piemonteze.

Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe nisi të hetojë për shkaqet e aksidentit.

Media italiane raporton se fatmirësisht Vojvoda nuk ka pësuar asnjë dëmtim, por mjeti i tij Mercedes është dëmtuar rënd.

Pak pas aksidentit, mbrojtësi i Kosovës, ka udhëtuar drejt qendrës stërvitore të Torinos, ku ka kryer edhe seancën e trajnimit nën drejtimin e trajnerit Juriç.

Kështu Mërgim Vojvoda, do të jetë në dispozicion të Torinos për ndeshjen e fundjavës përballë Atalantës së Berat Gjimshitit.