Pas disa ditësh rikthehet Superiorja. Teuta do të përpiqet këtë herë të ruaj trendin e fitoreve dhe përballë skuadrës së Egnatias. Nivelin e vështirësisë së këtij takimi e ka theksuar edhe mbrojtësi Artan Jazxhi. Lojtari mendon se ka ardhur momenti që Teuta të vijojë me rezultatet pozitive në këtë kampionat. Mbrojtësi polivalent i durrsakëve, thekson se grupi i lojtarëve do të japë shpirtin në fushë për ta fituar këtë ndeshje.

Sa po ju shërben pauza për t’u përmirësuar?

Kjo periudhë pushimi ka të mirën e vet me rikuperimin. Gjatë këtyre ditëve po punojmë më shumë në drejtimin tekniko-taktik, pasi duhet të fokusohemi shumë për ndeshjen e radhës dhe të vijomë rrugën e fitoreve.

Mendoni se ka ardhur momenti që Teuta të tregojë veten tanimë dhe me Egnatian?

Synimet e Teutës janë gjithmonë të dalim në fushë dhe të fitojmë, do të bëjmë më të mirën, na duhet fitore në ndeshjen e radhës.

Sa e vështirë do të jetë përballja me Egnatian?

Është një skuadër që me lojë ka justifikuar pikët, pasi ka instaluar një manovër që përfshihen gjithë lojtarët. Kanë lojë të mirë na tranzicione, por si çdo ekip, edhe Egnatia ka pikat jo të forta. Ne nuk do e marrim ndeshjen me stres dhe do hyjmë me qetësi në fushë.

A mendoni se presioni mund t’ua komplikojë ndeshjen?

Të gjitha ekipet kanë presion, por ne pak jo shumë. Kemi kontingjentin për rikuperim të pikëve, sepse kemi dominuar, por na kanë kushtuar gabimet dhe duhet të jemi më të qetë para portës. Në raport me skuadrat e tjera kemi pasur më shumë raste para porte.

A e keni gjetur ritmin e duhur tek Teuta?

Unë e kam zakon të them: “Si punon, ashtu të kthehet”. Asgjë nuk vjen thjesht, gjithçka duhet merituar.

Si e shikoni kampionatin deri në këtë moment?

Skuadrat janë të barabarta. Nuk ka një diferencë në pikë, por dhe nga cilësia janë të gjitha afër. Janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Sezoni është i gjatë dhe ekipi që do të jetë më konstant do të jetë më afër objektivave.