Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer më së miri ekipit të Teutës. Kjo pasi, përveçse ka pasur mundësinë të përgatitet sa i përket rritjes së formës fizike, ka dhe harmoninë në favor. Mbrojtësi i bluve, David Gjinollari, ka analizuar gjendjen e ekipit, ndërsa ka shprehur dhe synimet për sfidën e radhës, të cilën do ta zhvillojnë në Durrës ndaj bardhekuqve të Skënderbeut.

“Gjatë kësaj periudhe jemi munduar që të bëjmë një përgatitje sa më të mirë, për të qenë në lartësinë e duhur për ndeshjen kundër Skënderbeut. Lojtarët janë të karikuar dhe të motivuar për fitore, çka është ajo që ne na intereson. Do të luajmë për 3 pikë në fushë, pasi është rezultati që na shkon më shumë përshtat. Kemi mungesë pikësh në 2 javë, por që dhe mungesat e lojtarëve kanë bërë të vetën”.

“Është një ndeshje specifike, por jo vendimtare për ecurinë në kampionat. Është një kundërshtar direkt dhe një fitore do të na jap më shumë moral për vazhdimësinë. Pres një ndeshje të vështirë, sepse Skënderbeu ka një ekip të mirë, me elementë cilësor. Gjithsesi ne do të japim 100% tonë për të marrë maksimumin”. “Nuk mendoj asnjëherë me plane afatgjatë. Do të doja që t’i fitonim të gjitha ndeshjet dhe kjo është mëse normale. Megjithëse do të duhet t’i bëjmë planet ndeshje pas ndeshjeje. Duhet të marrim më të mirën në takimin ndaj Skënderbeut. Normalisht, nëse do të fitonim kundër Skënderbeut, do të na rritej akoma më shumë kërkesa në ekip”.