Humbja me Flamurtarin ka rikthyer dilemat tek Teuta. Durrsakët pësuan disfatën e parë pas 5 takimesh dhe nën shënjestër përfundoi faza difensive që nuk u shfaq në nivelin e duhur duke i dhuruar shumë hapësira vlonjatëve. Mbrojtësi i djemve të detit, Masahudu Alhaasan kërkon nga skuadra që mos të përsëriten gabimet e kryera ndaj kuqezinjve.
"Na vjen keq për humbjen në Vlorë, sepse i kishim mundësitë të merrnin një rezultat pozitiv. Shënuam e më pas pësuam 3 herë, por po punojmë për t’u përmirësuar. Gabimet nuk erdhën vetëm nga mbrojtja, mendoj se kur gabohet e gjithë skuadra mban përgjegjësi dhe ajo që duhet të bëjmë është të mos përserisim gabimet që kryem në Vlorë".
Një tjetër finale mbijetese do të luhet këtë fundjavë në "Niko Dovana" aty ku Teuta do të presë Kamzën. Ish-lojtari i përfaqësueses së Ganës thekson se ekipi i tij duhet të përsërisë të njëjtën përformancë si ndaj Vllaznisë dhe të marrë 3 pikët për të hedhur një hap të rëndësishëm përpara drejt qëndrimit në Superiore.
"Kundër Kamzës, duhet të luajmë si me Vllazninë. Edhe ai takim ishte i vështirë, por luftuam, luajtem si grup dhe në fund morrëm fitoren, këtë duhet të bëjmë edhe ndaj Kamzës. Nuk dua të bëj krahasime mes dy ekipeve që po luftojmë për mbijetese, por Kamza ka lojtarë anësorë të shpejtë, megjithatë ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje që të jemi më pranë qëndrimit mes më të mirëve. Rëndësi ka që të marrim 3 pikët".
25-vjeçari ka luajtur për 6 vite në Itali ku ka mbrojtur ndër të tjera edhe ngjyrat e Genoas e Perugias përpara se të transferohej tek Teuta dhe sheh shumë ndryshim mes kampionatit italian dhe atij shqiptar, ndërsa në lidhje me të ardhmen shprehet se për momentin është i përqëndruar vetëm tek mbijetesa e skuadrës durrsake.
"Kampionati shqiptar ndryshon nga ai italian. Personalisht jam i kënaqur, jam ambjentuar shumë mirë. Për sezonin e ardhshëm nuk e di nëse do të vazhdoj këtu, fillimisht jam i përqëndruar tek mbijetesa e Teutës, më pas do te shohim."
Distanca mes Teutës dhe Kazmës aktualisht është 4 pikë dhe përballja e ditës së diel mund të jetë përcaktuese në duelin për mbijetesë.





