Për Zhafet Tanganganë, objektivi i merkatos së Milanit, vazhdojnë kontaktet me Totenhemin.

Kështu ka raportuar “Tuttosport” që thekson se qendërmbrojtësi anglez, i lindur në vitin 1999 ka zgjedhur të veshë fanellën e kuqezinjve, pavarësisht se Evertoni dhe Valencia i ofrojnë një rol primar në formacionet e tyre.

“Djalli”, në fakt, dëshiron të nënshkruajë me lojtarin me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje, ndërsa “Spurs”-at nga ana tjetër, do të donin një hua me një detyrim shlyerje (apo edhe një të drejtë që mund të bëhet një detyrim me përmbushjen e disa kushteve).

Sidoqoftë, bisedimet vijojnë në binarë pozitivë dhe gjithçka mund të mbyllet brenda kësaj jave. Milani, ndërkohë, monitoron edhe Evan Ndikën e Frankfurtit.

Gjermanët presin 15 milionë euro për ta liruar, megjithëse pas një viti futbollisti mund të largohet falas pasi i përfundon kontrata.

Renato Sançes kthehet në mision të pamundur për Milanin sepse nga Franca thonë se PSG-ja do të mbyllë bisedimet me lojtarin brenda të mërkurës.

Ndërkohë, Milani po këmbëngul për Karni Çukvuemekan e Aston Vilës i lindur në 2003-shin.

Klubi anglez do të donte të arkëtonte 20 milionë euro nga shitja e tij, por talenti i ri anglez ka vetëm një vit në kontratën e tij dhe për këtë drejtuesit do të duhet të “kënaqen” me një shifër rreth 15 milionë eurosh.

Vetë lojtari ka dhënë pëlqimin për destinacionin, teksa do t’i bëjë shumë punë Piolit sepse mund të luajë si fantazist ashtu edhe në mesfushë.

18-vjeçari është kapiten i Anglisë U-19, teksa me Aston Vilën ka koleksionuar 13 prezenca, 12 nga të cilat në sezonin e fundit që është edhe i dyti për të me skuadrën e qytetit të Birmingemit.