Marash Kumbulla ndryshon skuadër në dritaren e transferimit të janarit, por mbetet në Serie A. 

Sassuolo është stacioni i radhës në karrierë për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, pas marrëveshjes së arritur gjatë mbrëmjes së të martës me dy klubeve shkruan “tuttomercatoweb”.

Formula e transferimit do të jetë huazimi deri në fund të sezonit. Udinese që kishte shfaqur shumë interes për Kumbullën është tërhequr efektivisht nga negociatat për shkak të dështimit për të shitur Nehuen Perez te Napoli. 

Për më tepër, ardhja e qendërmbrojtësit nga Roma çliron efektivisht largimin e Ferrarit, i cili është nisur drejt Cremonese në Serinë B.

Ish-mbrojtësi i Hellas Verona nuk ka zbritur asnjëherë në fushë deri më tani këtë sezon, por rikthimi i tij tashmë duket afër. 

Me afrimin e Kumbullës, trajneri Dionisi, shpreson të zgjidhë problemet në mbrojtje që kanë karakterizuar rezultatet e ekipit të tij në këtë pjesë të parë të sezonit.

Lidhur me rikuperimin e Kumbullës dhe Smalling, trajneri i verdhekuqve Daniele De Rossi ishte shprehur kështu: “Smalling dhe Kumbulla po stërviten bashkë, po bëjnë rrugëtimin e tyre, stafi mjekësor e monitoron çdo ditë. Po stërviten normalisht, ndoshta nga java e ardhshme do të bëjnë diçka të vogël me grupin, por nuk e di se sa kohë do të duan të kthehet në fushë, sepse janë dëmtime afatgjata”.