Esin Hakaj ishte një nga lojtarët më të spikatur të Teutës në sezonin e fundit. Mbrojtësi i krahut të majtë bëri paraqitje të mira për “djemtë e detit’ duke shënuar edhe një gol në Superiore. Shkodrani është nën kontratë dhe nuk e mendon largimin. Ai shfaqet i kënaqur me sezonin e tij të parë te Teuta, por e pranon se duhet akoma më shumë punë për të arritur në majë.

Hakaj u shpall talenti i tretë i sezonit 2017-2018 dhe thotë se pret një Teutë më konkurruese dhe me ambicie të mëdha.

“Mbyllëm një sezon të vështirë, ku në pjesën më të madhe kemi qenë në vendet e fundit. Në gjysmën e dytë skuadra ndryshoi qëndrim. Me afrimin e trajnerit Begeja erdhën dhe rezultatet dhe në fund e arritëm objektivin. Jam i lumtur, pasi rrezikonim shumë, por ky ishte një sezon shumë i dobët, sepse kishim ambicie të tjera”, tha fillimisht shkodrani.

E ardhmja e Hakajt a është te Teuta? 

Sigurisht, unë jam nën kontratë dhe këtu ndihem shumë mirë. Nuk kam asnjë arsye pse të largohem, shpresoj që në sezonin e ri të jemi më konkurrues dhe të shohim nga vendet e para në klasifikim. 

Jeni i kënaqur me sezonin që kryet, pasi jeni shpallur talenti i tretë më i mirë i sezonit në Superiore? 

Gjithmonë çmimet individuale të japin një stimul edhe më të madh për të vazhduar përpara, por do të isha më i lumtur nëse do të kishim fituar një çmim si grup, pjesëmarrjen në Europë. Jam i kënaqur për punën që kam bërë dhe për këtë dua të falënderoj klubin për mundësinë që më dha. Gjithsesi, unë besoj se më pret një punë e madhe për të arritur ato nivele që dëshiroj. Pra, duhet më shumë punë. 

Si e shikoni Teutën e sezonit të ri dhe ku mendoni se duhet të përforcoheni? 

Nga vjet është krijuar një grup i mirë, me disa lojtarë cilësorë. Besoj se me disa përforcime do të jemi një ekip më i fortë, por në sezonin e ri s’duhet të kënaqemi me pak. Gjithsesi, është shumë herët për të bërë parashikime dhe për më tepër kjo është një pyetje për drejtuesit. 

Në sezonin e ri, Vllaznia nuk do të jetë në Superiore. Ju vjen keq? 

Sigurisht që të vjen keq, është një ekip legjendë dhe kampionati është më i bukur me Vllazninë. Si shkodran, shpresoj të ngjitet sa më parë.