• Dikasteri i Mimi Kodhelit konfirmon lajmin e “Dyrrah”-ut me dy ditë vonesë: “Inspektimi i Armë-Kontrollit, detyrim i Dokumentit të Vjenës”

DURRËS, 24 qershor 2015 –Më në fund Ministria e Mbrojtjes prononcohet pas lajmit në “Durreslajm.com”, më 22 qershor 2015, “Inspektorë rusë, fluturim vëzhgimi mbi territorin e Shqipërisë”  (shih më hollësisht: http://www.durreslajm.com/aktualitet/inspektor%C3%AB-rus%C3%AB-fluturim-v%C3%ABzhgimi-mbi-territorin-e-shqip%C3%ABris%C3%AB).

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”, më 23 qershor 2015, i kërkoi një funksionari të Ministrisë së Mbrojtjes që mbulon komunikimin me mediet prononcim lidhur me njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Federatës Ruse për inspektimin e 12 mijë kilometrave katrorë të territorit shqiptar. Me sa u kuptua, PR-të (publik relations – term ndërkombëtar që nënkupton sektorët apo personat që mbulojnë edhe mediet e huaja) e Mbrojtjes nuk dinin asgjë për faktin se lajmi kishte marrë dhenë më mediet ruse. Ndonëse u premtua një përgjigje më 23 qershor 2015, vetëm në orën 11:31 të paradites së 24 qershorit 2015 doli ky njoftim me titullin “Inspektimi i Armë-Kontrollit, detyrim i Dokumentit të Vjenës”. Ja ç’thuhet në të:

“Prej ditës së djeshme [23 qershor 2015] në vendin tonë ndodhet për inspektim Armë-Kontrolli, një ekip i Federatës Ruse. Inspektimi është një prej tre inspektimeve rutinë që Shqipëria ka detyrimin për t'i pritur, dhe aplikimi i shtetit inspektues është bërë në përputhje me kërkesat e “Dokumentit të Vjenës” dhe po trajtohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm në mënyrë korrekte në respekt të ligjeve të vendit dhe të detyrimeve që burojnë nga Dokumenti i Vjenës.

Një nga 20 fushat e veprimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Evropës (OSBE) është edhe Armë-Kontrolli. Në bazë të “Dokumentit të Vjenës të vitit 2011”, shtetet anëtare (nënshkruese të dokumentit) kanë detyrimin të presin tre vizita inspektimi në vit dhe një vizitë vlerësuese. Në të njëjtën kohë ato kanë të drejtën, që në përputhje me parashtrimet e dokumentit të Vjenës, të ushtrojnë tre inspektime dhe një vizitë vlerësuese në vendet anëtare të OSBE.

Edhe Shqipëria, nga ana tjetër, si anëtare e OSBE që prej vitit 1991 dhe nënshkruese e “Dokumentit të Vjenës”, e ka ushtruar të drejtën e saj duke kryer inspektime dhe vlerësime, e vetme ose në bashkëpunim me shtete të tjera. Inspektimi më i fundit është kryer në Republikën e Malit të Zi javën e kaluar, ndërkohë që më parë gjatë vitit (mars 2015) me një ekip të përbashkët me Gjermaninë ka kryer inspektim në Serbi”.

/red. e jashtme agjencia e lajmeve “Dyrrah”/