Ankesat për diskriminim në vitin 2023 kanë qenë më të larta nga burrat se sa nga gratë.

Të dhënat zyrtare të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi tregojnë se numri i ankesave nga burrat ishte 145, ndërsa nga gratë 138. Sipas raportit, nga 359 çështje që janë trajtuar gjatë vitit 2023, Komisioneri vlerëson se për 344 çështje ka filluar shqyrtimi në bazë të ankesës.

“Nga këto në 283 raste ankesat janë paraqitur nga individë (235 ankesa të regjistruara gjatë vitit 2023 dhe 48 ankesa të regjistruara në vitin 2022), në 55 raste, ankesat janë paraqitur nga organizata me interesa legjitime (36 ankesa të regjistruara në vitin 2023 dhe 19 ankesa të trashëguara në vitin 2022), në 6 raste ankesat janë paraqitur nga grup personash (5 ankesa të regjistruara gjatë vitit 2023 dhe 1 ankesë e regjistruar në vitin 2022)” vlerëson raporti.

Sipas Komisionerit vihet re se gjatë 2023, ka një rënie të numrit të ankesave të organizatave me interesa legjitime, në krahasim me vitin 2022, por rezulton të ketë një rritje të ankesave të depozituara nga individ, krahasuar me një vit më parë.

Organizatat me interesa legjitime, kryesisht gjatë vitit 2023, kanë paraqitur ankesa, të cilat kanë patur në objekt të tyre mbrojtjen e një kategorie të veçantë, si p.sh.: personat me aftësi të kufizuara apo pakicat e ndryshme kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

Sipas përpunimit të të dhënave të bëra nga zyra e Komisionerit rezulton se vazhdojnë të mbeten mbizotëruese pretendimet për diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar, bindjeve politike, përkatësisë në një grup të veçantë, gjendjes arsimore, gjendjes ekonomike, racës, etnisë, moshës dhe gjendjes shëndetësore.

Shpërndarja e çështjeve të trajtuara sipas 3 fushave, punësim, arsim, të mira shërbime, vazhdon të jetë e ngjashme me atë të vitit 2022, gjatë të cilit rezulton se, çështjet në fushën e arsimit zënë 3.9% të totalit të çështjeve të trajtuara gjatë këtij viti me një rënie të lehtë prej 0.8% krahasuar me vitin paraardhës, çështjet në fushën e punësimit zënë 40% të totalit të çështjeve të trajtuara gjatë këtij viti me një zbritje të lehtë prej 7 % krahasuar me 2022, çështjet në fushën e të mirave dhe shërbimeve zënë 56.1% të totalit të çështjeve të trajtuara gjatë këtij viti me një rritje të lehtë prej 7.8 % krahasuar me 2022./Monitor