Mbulimi i kredisë bankare me kolateral pësoi rënie vitin e kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të 2023 shkalla e mbulimit të kredisë me kolateral ra në 75%, nga 86% që kishte qenë një vit më parë.

Lloji më i përdorur i kolateralit nga bankat vazhdojnë të jenë pasuritë e paluajtshme. Pronat mbulojnë 44% të portofolit të kredisë në lekë dhe në valutë të huaj. Përdorimi i pasurive të paluajtshme si kolateral është më i lartë te individët, ku pronat garantojnë 70% të kredive në valutë dhe 51% të kredive në lekë. Për bizneset, pasuritë e paluajtshme mbulojnë 36% të kredisë në valutë dhe 37% të kredisë në lekë.

Rënia e mbulimit me kolateral në tërësi është reflektuar edhe në rënien e përqindjes së kredisë të siguruara me prona. Një vit më parë, ato mbulonin 60% të portofolit të kredisë në valutë të huaj dhe 52% të portofolit të kredisë në lekë.

Megjithatë, shkalla ende e lartë e garantimit të kredive me kolateral në pasuri të paluajtshme e bën sektorin bankar të ekspozuar ndaj zhvillimeve në tregun e pronave. Një rënie e mundshme e çmimeve të pronave do të krijonte rreziqe të shtuara për shëndetin e sektorit bankar në vend.

Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë miratoi vitin e kaluar rregulloren “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi huadhënien dhe investimet për pasuri të paluajtshme”. Sipas Bankës së Shqipërisë, ajo ka si qëllim të përmirësojë të dhënat që do të mblidhen nga bankat për ekspozimin e tyre në tregun e pasurive të paluajtshme.

Llojet e tjera të kolateralit mbulojnë 33% të kredisë në valutë dhe 29% të kredisë bankare në lekë. Këtu përfshihen edhe një pjesë relativisht e vogël e kredisë që mbulohen me kolateral në formën e parasë cash, që përbën edhe llojin më cilësor të kolateralit për bankat. Kolaterali në cash mbulon 2% të kredisë në valutë dhe 1% të kredisë në lekë.

Ndërkohë, pjesa tjetër e kredisë së kolateralizuar është e mbuluar me lloje të tjera kolaterali, ku përfshihen makineritë e pajisjet, inventarët ose llojet e tjera të kolateralit financiar përveç parasë cash, si për shembull, aksione të shoqërive tregtare apo portofole kredie, në rastin e kredive të dhëna për institucionet financiare, etj.

Kredia e pambuluar me kolateral në fund të vitit kaluar përbënte 25% të totalit të portofolit të kredisë së sektorit bankar, në rritje të ndjeshme nga niveli prej 14% i një viti më parë. Kredia e pakolateralizuar përbën 23% të kredisë në valutë dhe 27% të kredisë në lekë./ Monitor