Nga Dritan Hila
Sot kanë ngjallur një reagim viral fotot ku monumenti i Heroit Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu dilte i mbuluar gjatë faljes që komuniteti mysliman shqiptar ka mbajtur në sheshin me të njejtin emër me rastin e Bajramit.
Nuk përjashtohet që një pjesë e reagimeve të kenë lidhje me islamofobinë. Por besoj se pjesa më e madhe është prekur pasi thellë në vetëdijen e tyre kjo është përjetuar si poshtërim ndaj simbolit të shqiptarëve dhe personit i cili i rrezistoi pushtimit otoman që cilësohet nga shqiptarët modernë edhe shkaktar për islamizimin e vendit dhe pengesë që vendi nuk pranohet në Evropë dhe më thellë në kohë, që kemi prapambetjen e sotme. Dhe kjo është parë si sfidë jo vetëm nga shqiptarë kristianë apo ateistë por edhe të besimit islam.
Ndër këta njerëz të revoltuar bëra pjesë edhe unë, megjithëse nuk besoj se jam një vazhdues i drejtpërdrejtë dhe i papërzier i gjakut arbëror.
Por meqënëse kam vendosur të jetoj në këtë vend dhe të mbaj pasaportë shqiptare, Skënderbeu më dhemb. Madje për këtë bëra edhe një status agresiv, të cilit disa besimtarë patën mirësinë të më sqaronin në komente dhe inbox.
Ka shumë gjasa që sa ka ndodhur të jetë një gabim thjesht teknik dhe skenografët të mos ta kenë menduar gjatë. Për shkak të ritit islam suni, besimtari nuk lejohet të falet përpara portreteve, ikonave apo busteve të cilat i quan idhujtari. Vetë Muhameti nuk ka një portret të tij. Ky ka qenë shkaku që monumentit t’i jetë zënë pamja me dy billborde të mëdha. Por mbulimi ka qenë sa për të thënë pasi nga shumë kënde të sheshit ai shihej i plotë.
Besimtarët kanë qenë të detyruar të falen në atë drejtim pasi ai është edhe drejtimi i Mekës, që e kanë për detyrim të drejtohen gjatë faljes.
Gjithë kjo nuk besoj se ka ndodhur për shkak të fanatizmit të Komitetit Mysliman Shqiptar që njihet si i moderuar dhe as se ka pasur në mendje ndonjë provokim ndaj shtetasve shqiptarë që kanë për mit të tyre Skënderbeun. As për shkak të besimtarëve të këtij besimi që në shumicën e tyre dërmuese janë tolerantë dhe besnikë të shtetit shqiptar. Por gjithsesi është një gabim teknik i cili ju ka prishur festën shumë besimtarëve dhe gjakun shumë shqiptarëve.
Herë tjetër, deri në bërjen e xhamive që do të mundësojnë një praktikim dinjitoz të këtij riti dhe jo daljen në rrugë, do të ishte e këshillueshme gjetja e një ambienti po aq të madh por që nuk lëndon ndjenjat e shumë shqiptarëve të tjerë.
Ndërsa personazheve publikë i del detyra që përpara se të venë dorën në kobure, të mendohen dy herë, përfshirë këtu edhe veten. Në një vend me tre fe dhe ku trendi i ri botëror është demonizimi i islamit, të gjithë duhet të bëjnë kujdes. Jo rrallë pakujdesitë dhe keqkuptimet kanë shkaktuar gjëma. Gëzuar festën besimtarëve. /dritare.net/