Shkrimtarja Flutura Açka ka reaguar ashpër ditën e sotme për mbulimin e statujës së Skënderbeut gjatë faljes së mëngjesit me rastin e Kurban Bajramit.

Në një status në FB, Açka shkruan se sot është bërë kurban heroi kombëtar, ndërsa nesër e ka radhën Atdheu.

“Në Europë duket se po e çojnë Skënderbeun, thotë kjo e shkruara e makinës këtu. Kurban atëherë u bë për Europën, kurban edhe sot për hipokritët që nuk u ngopën. Dje kurban një grua, sot Skënderbeu, nesër atdheu”, shkruan ajo.

Reagon edhe Artan Lame

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, me anë të një statusi në “Facebook”, ka reaguar lidhur me mbulimin e monumentit të Skënderbeut në Tiranë, gjatë faljes se namazit të festës së Kurban Bajramit.

Lame u shpreh se Skënderbeun e mbuluan me perde që të mos shihej se si mbretëron e kalëron mbi kalë tash 550 vjet, ndërsa shprehet se është i gatshëm nga njeri të bëhet hero, për të mbrojtur atë.

STATUSI I ARTAN LAMES

JE SUIS SCANDERBEG
E kam qeshur e jam tallur me Skënderbenë, sa pa dyshim e kam tepruar. Kam bërë ironi dhe i kam rënë në qafë, sa s’di si më ka duruar. Por i kam bërë këto se e dua Skënderbenë njeri me mish e kocka me halle e telashe, jo si një mit të kalçifikuar nga ata që pastaj themi “pale a ka qenë”.
Ashtu sikundër çdo i krishterë i mirë, e do Jezunë si njeri që zbriti mes vdektarëve e dha jetën për ta. Ashtu sikundër çdo muhamedan i mirë, e do Muhametin si njeri që ulur këmbëkryq u shpjegon të thjeshtëve udhën e drejtë. Ashtu edhe unë e dua Skënderbenë si njeri që mes njerëzve të tij, me gjoks përballte të keqen e madhe të kohës vet, ndërsa me kurriz mban edhe llafet e kohës sonë.
Por sot Skënderbenë tim ma zunë me perde që të mos shihej se si mbretëron e kalëron mbi kalë tash 550 vjet. Sot i zunë të pamët të mos i shihte, neser një zot e di se ç’mund t’i bëjnë.
Ndaj sot jam i gatshëm nga njeri të bëhem hero, për të mbrojtur heronë-njeri. Sot ndjehem i gjithi “je suis Skanderbeg”. E në qofshim shumë, s’kanë ç’i bëjnë heroit.