Një nga pikat më të njohura turistike të qytetit të Napolit, Sheshi “Diego Armando Maradona” në Lagjen Spanjolle, është mbyllur për turistët dhe vizitorët që prej së martës, pas një përplasjeje të ashpër mes policisë dhe tregtarëve lokalë. Në hyrje të sheshit, ku ndodhet murali gjigant i legjendës argjentinase të futbollit, janë vendosur mbulesa plastike blu, duke e bërë të pamundur praninë e vizitorëve.
Sipas mediave italiane, përplasja nisi pas një operacioni të policisë lokale, gjatë të cilit u sekuestruan mallra të shitura nga tregtarët dhe një furgon i njërit prej tyre. Ky furgon, i regjistruar si “tregtar ambulant”, sipas ligjit duhet të ndryshojë vendndodhje çdo katër orë, por kjo është praktikisht e pamundur në një zonë kaq të frekuentuar nga turistët.
“Është e pamundur ta zhvendosësh, sepse ka një mur njerëzor me mijëra vizitorë çdo ditë”, tha për AFP avokati i tregtarëve, Angelo Pisani. Në shenjë proteste ndaj asaj që e quajnë “presion i përditshëm nga policia”, tregtarët kanë bllokuar vetë hyrjen në shesh, duke deklaruar se, nëse konsiderohen si problem, “do të largohen dhe do të fikin dritat”. Sipas avokatit Pisani, Sheshi “Maradona” është juridikisht një oborr privat dhe jo një hapësirë publike, gjë që e ndërlikon edhe më shumë situatën ligjore.
Murali i famshëm i Diego Armando Maradonës, pikturuar në vitet 1990, është bërë simbol i qytetit të Napolit. Legjenda argjentinase, që luajti për Napolin mes viteve 1984–1991, mbetet një figurë ‘e shenjtë’ për tifozët napoletanë. Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, por kujtimi i tij vazhdon të mbledhë mijëra vizitorë çdo javë në këtë shesh.
Autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e tregtarëve kanë nisur diskutimet për një zgjidhje ligjore dhe praktike të situatës. Sipas avokatit Pisani, sheshi pritet të rihapet së shpejti, pasi bashkia e Napolit po punon për të gjetur një formulë që të lejojë vazhdimin e aktivitetit tregtar pa penguar vizitorët.





