Një 75-vjetor plot me kolegë, miq e shokë dhe i rrethuar nga pikturat e tij. Kështu ishte ky përvjetor i rëndësishëm për piktorin e njohur Çaush Vathi. Me disa dekada karrierë artistike mbi shpinë, piktori Vathi kishte përmbledhur në ekspozitën “Valsi i natyrës” 50 nga punimet e tij që nga rinia e hershme e deri në ditët tona. Në këtë udhëtim artistik, piktori Vathi nuk ka ndryshuar shumë.

“Piktura ime nuk ka ndryshuar shumë. Unë kështu kam qenë dhe ky jam. Një ndryshim i vogël që ne se kuptojmë shumë janë ngjyrat, kolori i përdorur në telajo”,– thotë ai për “DurrësLajm”.

Për kuratorin e ekspozitës Oltsen Gripshi, ndërthurja e pikturave të hershme me ato të viteve të fundit është bërë me qëllim, për t’i dhënë të gjithë artdashëve një kuadër sa më të gjerë të krijimtarisë së pasur të Vathit.

“Kjo ekspozitë bën bashkë një krijimtari të pasur të artistit. Kemi një retrospektivë, e cila nis në vitet e hershme të krijimtarisë së tij duke mbërritur deri në periudhën e fundit. Padyshim që të gjithë vizitorët udhëtojnë brenda një hapësire për të parë sesi ka lindur një piktor, si është zhvilluar dhe ku ka mbërritur me pikturën e tij. “

Me një dashuri të madhe për pikturën, artisti Vathi nuk e ka ndarë kurrë dorën nga penelat dhe bojërat. Madje dhe tani kur mosha ka avancuar, dashuria për artin dhe të bukurën mbizotëron edhe mbi dashurinë prindërore.

“Unë nuk ndjej asnjë lloj lodhjeje. I kam fëmijët të gjithë jashtë shtetit dhe i kam dhe kushtet të jetoj atje. Por jo, nuk dua të jetoj atje. Dua të jetoj këtu sepse këtu kam studion, kam aktivitetin tim, kam shokët, miqtë. Dua të vazhdoj të jap kontributin tim”,- thotë piktori.

Megjithëse numëron sot 75 vite mbi shpinë, Çaush Vathi fsheh një energji të pashtershme, duke premtuar të tjera vepra arti të dala nga duart e tij në të ardhmen.

M.B.