Nga BUJAR QESJA
Jetës nuk u numërohen ditët, por i shijohen ato. Njeriu në jetë ka shumë pasione, por me kalimin e moshës ato amortizohen dhe shuhen. Por hajde pyet Sul Podën se çfarë të thotë. Ashtu si një guzhinjer i mirë, që e marinon asortimentin edhe gazetarët e përkëdhelin faktin kur flitet për të mirë. Por në në rastin e Sulejman Podës, është shembulli i tij që e zbukuron lapsin tonë, që e marinon mendimin tonë, që e mrekullon atë që quhet shkrimi i jonë.
Sul Poda me 28 dhjetor 2023, festoi 80-të vjetorin e lindjes. E tash i bie të kenë kaluar mbi këtë 80-tëshe edhe 13-14 ditë. Nuk i pata mundësitë për të shkuar në Tiranë kundrejt ftesës së bërë. Dhe tiranasi i thekur, tiranasi i madh, tiranasi i ëmbël si mjalti Sul Poda nuk mbajti “inat” dhe erdhi në Durrës, tek konaku i mikut të tij durrsak.
-Ti nuk e pate rastin të më urosh dhe unë të falenderoj për shkrimin që bërë për jetën time. Mos pa prish. Kam marrë pak raki dhe ta shijojmë së bashku për pak minuta. Merre edhe këtë shishe verë. Nuk i tokëm gotat në Tiranë. Për qejfin tënd konsumoje në shtëpi dhe kujto përvjetorin e lindjes të një shoku, të një miku që të respekton.
Rrobat e dimrit m’u dukën shumë të lehta, kundrejt veshjes plot mirësi dhe xhentilesë që më ofroi Sul Poda. Sa me fat paskam qenë, që nuk m’u ndanë këta Sulejmanë të Madhërishëm. Isha mësuar me “Macen e Zezë” Sulejman Maliqatin. Tashmë nuk e kam me frymë. Por më vjen një tjetër Sulejman. Edhe ky i madh sa ska ku bëhet. Konsumuam shumë miqësi, diku nga ora 12.00 deri në 13.00.
Sula është shumë i këndshëm në bisedë. E folura tiranase puro, humori fin dhe me masë, ia shtuan lezetin tavolinës tonë modeste, por me njerëz që e çmojnë shumë miqësinë dhe respektin e shokut dhe të mikut.
-Me çfarë ke ardhë? e pyeta.
-Nuk iu rëndova askujt. Doja të ecja në këmbë dhe erdha deri tek autobusi.
Pas pak Sula më tregoi, se ka ardhë me çantë shpine. Brenda kishte kostumin e banjos dhe të gjitha veshjet e tjera plotësuese, të pastra dhe të palosura.
-Ty stë mbetet hatri që unë të largohem! Ti ma di zakonin. “Adriatiku” po më pret. Nuk mund të iki pa e “përqafuar”. Do të notoj Bujar, do të shkoj të notoj!
Habia ime ishte mëse normale. Nuk po i besoja veshëve çfarë po dëgjoja, e jo më të shikoja më pas pamjen e Podës duke u larë.
-Je në vete Sulë! ia ktheva duke i dhënë habisë më shumë shteg sa çi takonte. Është shumë ftohtë. Ti e ke hobi ujin, e ke pasion, nuk ndahesh prej tij. Por jo në këtë qamet, që është dita më e ftohtë e dimrit. Të kujtoj që është 10 janar.
-Më jep leje të iki! Do ti bie në këmbë nga hotel “Durrësi”, do të dal tek “Flegshipi”. Më pas do të kaloj tek rruga e re, që të çon nga plazhi dhe do të qendroj në “Agip”. Dua të kap detin, para se të më iki dielli. Hajde më përcill pak metra më tutje!
Si një djalosh 20 vjeçar, hodhi mbi shpinë çantën me dy rripa dhe çapiti me shpejtësi drejt rrugës që më tha. Humba rastin t’i bëja një foto, me atë çantë sportive hedhur mbi shpinë. Sul Poda 80 vjeç e 13-14 ditë më përtej, po shkonte të lahej. Deti është urdhëruesi i tij dhe ai nuk ia ka prishur sa ka lindur e deri tash dhe nuk ka ndërmënd t’ia prishë sa të ketë jetë.
Jo vetëm ikte, por vraponte ky Sul Poda, drejt ajrit të pastër, drejt diellit të ngrohtë, drejt detit fisnik, që e priste ti hidhej në krahë. E ç’rëndësi kishte sa ishte temperatura?! Pasioni i tij është zjarr i fuqishëm, që e ngroh këtë njeri prej tetë dekadash jetë.
I thërrita me fuqinë normale të zërit tim:
-Faleminderit Sul Poda për nderin që më bëre, tiranas i mrekullueshëm! Përqafoje detin edhe nga ana ime! Jam rritur aty dhe takohem në ditët e lëvizjeve të mia. Të lumtë për këtë pasion, për këtë dashuri, për këtë përkushtim ndaj detit dhe natyrës. Mirupafshim, mirupafshim!
Bujar Qesja
Durrës: 10 janar 2024
Në pamjen e parë, Sul Poda djathtas dhe Bujar Qesja, teksa ngasin miqësinë me pak alkol.
Pamja e dytë: Sul Poda, duke përqafuar detin në këtë të ftohtë të 10 janarit 2024.