Policia e Durrësit zbuloi dy ditë më parë një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit në katin e nëntë të një pallati. Ishte 62-vjeçari Prend Çela, administratori i pallatit ai që i kishte mbjellë bimët e kanabisit, të cilat kishin arritur mbi 80 centimetra gjatësi.

Çela e ka pranuar para hetuesve se ka qenë ai që ka kultivuar lëndën narkotike, teksa u justifikua duke thënë se gjithçka e kishte bërë për të shlyer borxhet dhe kreditë. “Këtë punë e kam bërë me qëllim fitimi, pasi kisha nevojë për para pasi do likuidoja kredinë në bankë”, ka deklaruar në polici Prend Çela.

Sasia e bimës narkotike ishte mbjellë në 46 vazo plastike, dhe sipas policisë kishte rritur në gjatësi prej 85 centimetra.

“Te ky pallat punoj dhe si administrator i pallatit. Pranë zonës afrohen herë pas here disa djem, të cilët konsumojnë lëndë narkotike dhe me njërin prej tyre kam krijuar shoqëri, por nuk e njoh më emër. Ky person me të cilin kam krijuar shoqëri, më ka treguar së është nga Tirana, por me origjinë Dibran, por emrin nuk ja kam mësuar. Gjatë bisedës, personi nga Tirana më ka ofruar disa fara Canabisi, për t’i mbjellë dhe unë kam pranuar. I kam marrë farat dhe kam përshtatur katin papafingo për mbjelljen e bimës narkotike. Këtë punë e kam bërë i vetëm pasi kam punuar më parë si elektricist. Gjatë kësaj kohe, kam arritur të marr një herë prodhim nga kanabisi, të cilin ja kam shitur shokut tim nga Tirana, për vlerën e 70.000 lekëve të reja”, ka dëshmuar më tej 62-vjeçari.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit në banesën e marë me qira (papafingo), në lagjen nr. 13, Durrës. Gjithashtu u proceduan penalisht, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasit Edmirand Estrefi, 34 vjeç banues në Xhafzotaj dhe Sokol Dalipaj, 38 vjeç, banues në Durrës, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, të cilët nuk kanë përmbushur detyrën sipas ligjit, pasi nuk kanë kontrolluar linjën elektrike dhe matësin e energjisë elektrike. /oranews