16 shkurt 2015 – Këshilli i Ministrave ka paraqitur në Kuvend një projektligj për “Lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimet e propozuara janë gjithëpërfshirëse dhe kanë si synim rregullimin e kësaj veprimtarie, detyrat, përgjegjësitë dhe bashkëpunimin e strukturave përgjegjëse për monitorimin. Sa u përket basteve sportive, disa prej propozimeve janë risi, duke përfshirë edhe identifikimin e çdo lojtari dhe detyrimin e organizatorëve që të krijojnë regjistër për secilin.
Mosha– Të gjithë personat që organizojnë, menaxhojnë apo luajnë në baste sportive duhet të jenë mbi 21 vjeç. Pavarësisht se në realitet, në lotari sportive janë parë edhe fëmijë nën 18 vjeç, duket se me miratimin e këtij ligji, mosha e zbatimit do të jetë një kusht thelbësor. Identifikimi- Një element që vërteton moshën, por mbi të gjitha që “skedon” çdo lojtar në baste sportive, ka të bëjë me identifikimin. Çdo organizator është i detyruar që t’i kërkojë dokumentin e identifikimit çdo lojtari që luan në ambientet e lojërave të fatit, në mënyrë që të mos pranojë lojtarë nën moshën 21 vjeç dhe ka detyrimin që të regjistrojë të dhënat identifikuese të lojtarit.
Leja për të luajtur-Organizatori merr masa të ndalojë për të luajtur në mjediset e lojërave të fatit një person, për të cilin ka një kërkesë me shkrim prej vetë lojtarit apo prej të paktën një prej familjarëve të tij, ku kërkohet moslejimi i këtij personi për të hyrë në mjediset e lojërave të fatit. Kërkesa duhet të depozitohet pranë AMLF-së (Autoritet i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit), i cili duhet të mbajë një regjistër të personave, për të cilët është kërkuar të mos lejohen. Pas marrjes së këtij njoftimi, AMLF-ja njofton të gjitha shoqëritë, që operojnë në fushën e lojërave të fatit, për moslejimin e këtij personi të luajë në këto mjedise. Mbajtja dhe ruajtja e të dhënave identifikuese të lojtarit bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ndalimi i sportistëve -Ndalohet organizimi i basteve kur organizatori është aksionar, anëtar i organeve drejtuese, përfaqë- sues ligjor apo është i lidhur në mënyrë direkte me një klub sportiv, i cili merr pjesë në evenimente sportive dhe brenda fushës për të cilën vendosen bastet sportive. Kjo u heq mundësinë të gjithë zyrtarëve të klubeve apo edhe sportistëve, që të kenë pika bastesh, fenomen që në fakt ka ekzistuar deri tani.
Bllokimi online- Një nga pikat e projektligjit është bllokimi i lojërave të fatit online. Kushdo “web-site” i huaj apo shqiptar që duhet të ofrojë të tilla veprimtari, duhet të nisë procedurat për pajisjen me licencë për territorin e Shqipërisë. Kjo krijon mundësinë që të gjithë lojtarët duhet të regjistrohen me të dhënat e tyre identifikuese dhe e gjithë veprimtaria që do kenë, do regjistrohet dhe monitorohet gjithashtu nga AMLF-ja.
Distanca –Bastet sportive nuk do të jenë më pa limit, apo ngjitur me njëra-tjetrën. Të paktën sipas projektligjit të propozuar. Një prej elementëve është numri dhe distanca. Bëhet fjalë për një numër maksimal prej 500 pika bastesh sekondare, të cilat duhet të kenë një distancë prej 200 metrash në vijë ajrore nga njëra-tjetra.





