Banorë të zonës së ish-Kënetës në Durrës janë përplasur me policinë e Rendit paraditen e sotme, pasi ndërmarrja e rrugëve nisi punën për mbylljen e kryqëzimeve në unazën e ish-Kënetës.
Banorët penguan punonjësit e ndërmarrjes së rrugëve për të nisur punën, ndërsa pak minuta më pas mbërritën forcat e Rendit. Banorët janë konfliktuar verbalisht me punonjësit e Rendit, me pretendimin se askush nuk mund të mbyllë kryqëzimet rrugore para semaforëve.
“Në këtë zonë janë dy shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme me mbi 2 mijë nxënës, nëse mbyllet kryqëzimi, nga do kalojnë fëmijët? Mbikalim nuk ka, semafori nuk punon, ku do kalojnë fëmijët por edhe makinat? Bashkia të vendosë në punë semaforët e të disiplinojë trafikun, sepse rruga jonë ka marrë emrin “Rruga e vdekjes” për shkak të aksidenteve të shumta me vdekje”, pohojnë banorët.
Kjo unazë që lidh autostradën Tiranë-Durrës me qytetin, prej vitesh ka marrë emrin “Rruga e vdekjes” në Durrës, për shkak se mungon sinjalistika rrugore dhe mbikalimet për popullatën.
K.H.





