25 shtator 2013- Rreth 3200 fitues në shkollat e larta kanë zgjedhur të mos bëjnë regjistrimin online. Automatikisht ata ua lëshojnë vendet po kaq kandidatëve, të cilët nuk arritën të fitojnë në fazën e parë. Pjesa më e madhe e të paregjistruarve janë në universitetet e rretheve, por edhe në dhjetëra degë në universitetet e Tiranës, ndonëse numri është më i ulët.
Gjithçka e bën me dije Agjencia Kombëtare e Provimeve. Një ditë pas përfundimit të afatit të regjistrimeve, AKP-ja jep të dhënat për kuotat bosh. Kreu i saj, Alfons Harizaj, sqaron për gazetën se veç tyre, lista përfundimtare do të ketë edhe spostime të tjera të maturantëve, por të dhënat për to do të jepen vetëm në datën 2 tetor. Ajo është përcaktuar si afati për shpalljen e listës përfundimtare të fituesve.
“Është një proces zinxhir sepse janë me mijëra maturantët të cilët kanë bërë regjistrimin me opsionin ‘Vazhdoj konkurrimin për një preferencë më të lartë’. Në këtë mënyrë ata heqin dorë nga dega ku kanë fituar dhe futen sërish në sistem për të parë nëse me spostimin e listës kanë pikët e mjaftueshme për t’u ngjitur në këtë preferencë”, thotë Harizaj. I pyetur në lidhje me formularin A3, ai sqaron se vetëm pas javës së parë që nga dita kur nis viti i ri akademik, do të shihet se cilat janë kuotat e paplotësuara që do të përfshihen në këtë formular.
“Pas listës përfundimtare fituesit do të nisin fakultetin në degën ku kanë fituar dhe brenda një jave ata duhet të paraqiten në sekretari me dokumentet e kërkuara për të përfunduar regjistrimin që kanë bërë online. Duhet ta theksoj se kjo është faza që përmbyll regjistrimin, nuk është një regjistrim që nis nga fillimi”, thotë Harizaj. Sipas tij, pas javës së parë do të ndërtohet formati i formularit A3, ku do të përfshihen të gjitha programet me kuota të paplotësuara.
http://www.panorama.com.al/2013/09/25/mbyllen-regjistrimet-3200-kuota-bosh-ne-universitete/





