10 tetor 2015 – Një nga figurat më të rëndësishme të “Agon Channel”, Sonila Meço, ka dhënë sot lajmin e mbylljes së televizionit ku ajo punonte që prej hapjes së tij më 5 prill të 2013-s.
Gazetarja dhe moderatorja ka shkruar në Facebook se ka qenë shteti ai që ka prerë sinjalin. Orët e para të mëngjesit, OSHEE-ja i ka prerë energjinë elektrike televizionit, pronari i të cilit Francesco Becchetti është ende në kërkim.
Reagimi i Sonila Meços në Facebook:
“Një projekt që e nisëm me shumë dëshirë, për arsyet që bashkojnë profesionistë në një sipërmarrje të madhe. Kush bën televizion e di ç’do të thotë të jetosh me të, ta provosh gjer në kockë sëmbimin që shkakton ngacmimi i të qenurit përballë publikut.
Larg pritshmërive tona, në pamundësinë reale për të imagjinuar më të keqen, sepse puna në media nuk të le kohë të bësh plane B, C e D, sot shteti ndali sinjalin pasi për 5 muaj me radhë nuk i doli për zot qytetarëve të vet. Ndali një histori, tonën, të publikut që na ndiqte, të kolegëve të mi, por nuk mbyll dot një marrëdhënie që tejkalon sinjale e logo. Nëse sot jemi të trishtuar për këtë ndalesë të sforcuar, nesër do të jemi më të motivuar, duke rikujtuar arsyet për të cilat nisëm këtë projekt: dëshira për të bërë një televizion cilësor e pasioni për të kryer punën që dimë të bëjmë më mirë. Faleminderit!!!!”
/S.L. portali DurresLajm/