Një çerdhe në Tiranë është mbyllur, pasi një nga edukatoret ka rezultuar me CoVid-19. Sipas burimeve bëhet me dije se është çerdhja numër 16 në Tiranë.

Sipas informacioneve, asnjë fëmijë nuk është i prekur dhe i gjithë stafi do të karantinohet për 14 ditë.

Drejtoresha e Kopshteve dhe çerdheve në Bashkinë e Tiranës, Zhaneta Beqiri ka folur për mbylljen e çerdhes numër 16 në zonën e Tiranës së Re. Në një deklaratë për mediat nga zyra e saj, Beqiri është shprehur se në çerdhe ka një rast të dyshuar si të infektuar, duke mos e pranuar se një prej edukatoreve ka rezultuar pozitive.

Ajo është shprehur se sapo është marrë sinjali për një rast të infektuar, është dezinfektuar për herë të tretë çerdhja dhe janë njoftuar prindërit e të miturve. 

“Ditën e djeshme operatori shëndetësore na ka bërë me dije që dyshohet për një rast. Kemi ndjekur të gjitha masat. Dyshohet për një rast. Menjëherë morëm masat. E dezinfektuam për herë të tretë. Gjatë ditës së sotme kemi pezulluar shërbimin për 14 ditë që gjithë stafi të hetohet për çerdhen. Do zbatojmë gjithë protokollin. Stafi do të karantinohet. Sot në çerdhe ka pasur 53 fëmijë,”– u shpreh ajo.