FIER – Prokuroria e Fierit ia kaloi Gjykatës dosjen e masakrës së Belishovës, ku burrë e grua, Enver e Hazbije Myftaraj, u vranë dhe më pas u dogjën. Ndaj 19-vjeçarit Xhevit Malkaj rëndojnë katër akuza “vrasje në rrethana të tjera cilësuesve”, kundër dy ose më shumë personave, “shkatërrim të pronës me zjarr” me pasoja të rënda, “mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “vjedhje” e mbetur në tentativë. 

Pas rreth tri muajsh hetime, akuza ka zbardhur të plotë ngjarjen dhe motivin e saj, duke e bazuar në prova dhe dëshminë e vetë të arrestuarit. Ngjarja që ndodhi më 25 tetor të vitit të kaluar tronditi mbarë opinionin, pasi bashkëshortët u gjetën të vrarë e të djegur nga familjarët e tyre. Sipas të dhënave të shënuara në dosje, i riu e ka kryer krimin i vetëm. 

Gjatë hetimit, ai është vënë para provës për të luajtur i vetëm një kasafortë mjaft të rëndë dhe të hekurt, për të cilën u dyshua se i riu kishte pasur qëllim ta vidhte. Ai arriti ta lëvizte, ndonëse ditën e ngjarjes nuk mundi ta hapte. Sipas dëshmisë së dhënë nga Malkaj, shkak i konfliktit ishin bërë tubat e hekurit dhe impiantet e naftës, të cilat i shiste në bashkëpunim me viktimën, Enver Myftaraj. Sipas dëshmisë së 19- vjeçarit që ndodhet edhe në dosje, viktima shiste hekura dhe naftë që e vidhnin në bashkëpunim dhe më pas i ndanin lekët përgjysmë. Por më pas Myftaraj e nxori atë jashtë loje dhe bashkëpunoi me persona të tjerë. Ditën e ngjarjes, ai ka pasur sherr me viktimën në sy të së shoqes. Por i riu është shprehur se ishte nxehur shumë nga fyerjet e “mikut” të tij. Ai është larguar nga banesa e dy bashkëshortëve dhe gjatë të gjithë pasdites ka konsumuar alkool. 

Në mbrëmje, rreth orës 19:30, ka marrë një armë gjahu që e mbante babai i tij, Bajram Malkaj, dhe rreth 30 minuta më pas është nisur drejt shtëpisë së viktimave. Ai ka qëlluar fillimisht Enverin duke e plagosur në shpatull, më pas e ka qëlluar edhe në fytyrë. Ndërhyrja e së shoqes ka rezultuar fatale, pasi ai e goditi në kokë e më pas në trup me qytën e armës. Gruaja ka tentuar të shpëtojë, por ai e ka qëlluar me çifte. Më pas është nisur drejt kasafortës që ishte në dhomën tjetër, por nuk ka mundur ta hapë atë. 

“Pasi nuk hapa dot kasafortën, spërkata Enverin dhe Hazbijen me raki për t’i djegur. Por pasi e spërkata me raki, gruaja u përmend. E qëllova me çifte në kokë. U vura flakën trupave dhe përhapa zjarrin në të gjithë shtëpinë. Para se të largohesha, mora armën që mbante viktima në shtëpi dhe ia lashë në dorë me qëllim që të mendohej se ai kishte vrarë gruan e më pas veten. Shkova në shtëpi, aty gjeta babanë dhe i tregova gjithçka”. Kjo është dëshmia e 19-vjeçarit për masakrën e rëndë, ndërsa tashmë i mbetet gjykatës të shqyrtojë dosjen dhe të japë vendimin e saj.