KORCE – Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet për dosjen e Armando Avdullait, i cili që prej 9-të muajsh rezulton i zhdukur. Hetimet nisën më 1 maj të vitit që shkoi, pas denoncimit të familjes Avdullai për zhdukjen në rrethana misterioze të 32-vjeçarit. Pavarësisht hetimeve intensive në pistën e konflikteve që i riu mund të kishte me persona të tjerë për shkak të dhënies së parave kundrejt interesit, hetuesit e çështjes nuk arritën të hidhnin dritë mbi këtë ngjarje. Pas zhdukjes së Armando Avdullait nga lagjia nr.6 e qytetit juglindor, policia dhe prokuroria morën në pyetje disa persona që i kishin marrë borxh atij. Ndërsa u hetua edhe në pistën tjetër, e konkretisht, të largimit të 32-vjeçarit jashtë shtetit. Mbyllja e hetimeve ka pasuar me reagimin e ashpër të familjarëve, të cilët bëjnë apel për rihetimin e çështjes. Në një intervistë dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, Sulltana Avdullai deklaroi se janë shumë të zhgënjyer nga organet e drejtësisë. Ajo i bën apel shtetit që të zbardhë ngjarjen dhe të mësojë të vërtetën për fatin e djalit të saj të vetëm. 
 

Djali juaj rezulton i zhdukur prej 9 muajsh, keni ndonjë informacion rreth tij? 

Heshtje dhe vetëm heshtje. Nuk kam asnjë informacion për tim bir. Tani prokuroria vuri “vulën”, i mbylli edhe hetimet. Hapi një plagë të dytë në zemrën e një nëne, e cila jeton me ankth çdo minutë të ditës dhe pret të dëgjojë një lajm për djalin e saj. Qoftë ky një lajm i mirë apo i hidhur, unë kam nevojë të mësoj të vërtetën. Por drejtësia nuk veproi kështu, e mbylli çështjen. Thjesht na thanë se nuk ka asnjë gjurmë të djalit dhe se kërkimet janë mbyllur. Jemi shumë të zhgënjyer nga organet e drejtësisë. 
 

Përse është zhdukur Armandi dhe cili është dyshimi juaj?

Zhdukja e djalit tim nuk ka lidhje me pista të tjera. Prokuroria duhet të hetonte pistën e fajdeve. Kam frikë dhe i druhem ndonjë të vërtete të hidhur, që vjen si pasojë e ndonjë konflikti për paratë që ai jepte borxh kundrejt interesit. Paraja është bërë sot e frikshme, çfarë nuk po dëgjojmë. Ndaj unë dhe familjarët e mi dyshojmë se zhdukja e djalit ka të bëjë vetëm me dhënien hua të parave. 
 

Ka kaluar një kohë e gjatë, keni pasur ndonjë telefonatë të dyshimtë? 

Nuk kemi marrë asnjë telefonatë. Ne i biem pa pushim numrit të djalit, qoftë atij shqiptar apo atij grek. Ky i fundit në një moment ka qënë i hapur dhe më pas u mbyll për të mos u hapur kurrë. Këtë e kemi thënë edhe në prokurori, por pavarësisht kësaj, asgjë nuk ka dalë në dritë. 
 

Çfarë kërkoni aktualisht? 

Zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dua të marr vesh të vërtetën. Si nënë do arrij të përballoj gjithçka, por vetëm heshtjen nuk e përballoj dot. Po më fut të gjallë në dhe. Dua të vërtetën dhe shteti të veprojë. Heshtja e shtetit po më vret për herë të dytë. Jam nënë që mos qofsha dhe më dhëmb shpirti për djalin tim të vetëm. Kërkoj rihetim të çështjes.

Nga: ENKELEJDA SKËNDERASI