Dita e djeshme, e treta në kalendarin e Kampionatit Mbarëkombëtar të Notit Shqipëri-Kosovë, ishte e fundit e kësaj veprimtarie të parë të këtyre përmasave, në të cilën morën pjesë rreth 300 notarë (femra-meshkuj). Me një mot tejet të nxehtë, të gjithë aktorët e kësaj veprimtarie e sfiduan vapën me garat që zhvilluan. Le të themi se, dita e tretë tërhoqi më shumë vëmendjen e garuesve, por edhe të pranishmëve të shumtë, edhe për rivalitetin që treguan notarë të veçantë.
Nëse Nikol Merizaj e Albania-s u shpall Notarja më e Mirë për Femra në këtë Kampionat Mbarëkombëtar, duhet thënë se, Fjorda Shabani e Step të Kosovës dhe Flaka Pruthi e Zenit, po e Kosovës, ishin rivale të denja në këtë Kampionat. Të dyja ishin absolute në garat që zhvilluan, duke qenë njëherësh edhe protagoniste në kampionatin e vendit të tyre. Sepse me masivitetin që Kosova kishte në këtë Kampionat, mbi të gjitha tregoi se sportit të notit i ka dhënë prioritet, përpos kushteve jo fort favorizuese të motit dhe të infrastrukturës.
Po kështu edhe për meshkujt, por këtu veçohet se, të tre fituesit ishin nga ekipet shqiptare të notit, dhe vendin e parë e “hipotekoi” një notar i Albania-s, Klavio Meça. Durrsaku Frenc Bërdaku, me pak pikë u rendit në vendin e dytë, por ai tregoi se është një kampion në disa gara, ndërsa në vendin e tretë u rendit një tjetër talent i notit shqiptar, Deni Baholli i ekipit 'Te Stela', i cili me performancën e tij garuese, tregoi njëherësh edhe dorën e “ustait” të trajningut në notin shqiptar, trajnerit Sadik Mema.
Ndryshe erdhi renditja përfundimtare, ku për Femra ekipi kosovar Step mbeti absolut. Në vendin e dytë e të tretë u renditën Studenti dhe 'Te Stela', ekipe me përbërje talentesh që premtojnë për të ardhmen. Për meshkujt, në renditjen përfundimtare spikatën ekipet e Studentit, Teutës e 'Te Stela', duke treguar se ky sport, progresin e ka si “detyrë shtëpie” në çdo veprimtari.