3 gusht 2015 – Libraria “Toena” në Durrës është mbyllur përfundimisht, duke krijuar për të ardhmen një boshllëk të madh në jetën kulturore të qytetit.

Faktin e ka denoncuar dje violinisti durrsak Florian Vlashi, gjatë një interviste dhënë një të përditshmeje shqiptare.

“Nuk ka qytet në botë që të mburret me baret e bukura”, nënvizon artisti 52-vjeçar, që ndodhet këto ditë në qytetin e lindjes për Bienalen “Netët e Muzikës Klasike”.

“Ato mburren në radhë të parë, me qendrat e kulturës, me teatrin, shkollat apo bibliotekat. Le të hapen 100 bare moderne, por kur në Durrës mbyllet e vetmja librari e qytetit, kjo për të gjithë ne është një ditë zie”, shprehet Florian Vlashi.

Libraria “Toena” është hapur 15 vjet më parë në qendër të qytetit të Durrësit. Ajo ishte e vetmja librari e mirëfilltë e qytetit dhe duket se shkaqet e mbylljes lidhen me mungesën e interesit dhe konkurencën e pandershme.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/