Është mbyllur me sukses në Durrës Panairi Ndërkombëtar i Librit “Durrës Script”. Organizatorët, botuesit dhe pjesëmarrësit, kanë qenë njëzëri të kënaqur për këtë edicion të dytë zhvilluar në sheshin e Sfinksit në qytetin bregdetar. Aqif Hysa, në cilësinë e kryetarit të shoqatës “Durana” dhe një prej organizatorëve të Panairit të Librit, ka pohuar se “Ecuria e librit në këndvështrim të përgjithshëm është pritur shumë mirë, kjo hedh poshtë idenë që lexuesi është indiferent. U munduam që të krijojmë “gërvishtjen” ndaj idesë që nuk lexohet, në mos e thyem këtë mendim filluam t’i japim goditje këtij mentaliteti. Panairi Ndërkombëtar i Librit Durrës Script mund ta themi me plot gojë që ka qenë një sukses, duke filluar që nga pjesëmarrja e gjerë e shtëpive botuese, te pjesëmarrja e qytetetarëve jo vetëm për të vizituar stendat, por duke u bërë dhe blerës të shumë titujve që ofroheshin në to dhe deri te mendimi pozitiv i përhapur kudo për këtë aktivitet, i vetmi i këtij lloji në Durrës. Natyrisht, merita kryesore e këtij realizimi është e Bashkisë së qytetit, dhe gjithë strukturave lokale që asistuan në mbarëvajtjen e Panairit të Librit”.
Në këtë panair morën pjesë shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Italia etj të cilat botojnë shqip vepra të autorëve shqiptarë. Gjatë ditëve të këtij panairi u zhvilluan edhe promovime të veprave më të fundit të autorëve të njohur si Ndriçim Kulla, Mimoza Leskaj etj. Në promovimin librave më të rinj të poetes Mimoza Leskaj morën pjesë shkrimtarë e poetë nga Shqipëria e Kosova. Leskaj është një poete e cila jeton në Pescara të Italisë ku nuk ka reshtur së shkruari dhe botuari në prozë e poezi në gjuhën shqipe. Ajo prezantoi librat e saj me poezi "Flas me Heshtjen", "Dashuri me ngjyra vjeshte ", "Pyeta Retë ", "Njëmijë e një trokitje zemre" si dhe librin me tregime "Kronikë e një dashurie të përjetshme". Pjesëmarrësit kanë vlerësuar vëllimet e poetes si dhe janë recituar disa nga poezitë e saj. Autorja Mimoza Leskaj ka përfunduar librin e saj më të ri "Katër polet e poezisë" që hyn në fillimin e vjeshtës për botim! Botimet e saj të përkthyera në italisht do të botohen në fund të vitit në Itali.
Po kështu gjatë ditëve të këtij panairi u zhvillua edhe një bashkëbisedim rreth veprave të autorit të njohur Ndriçim Kulla. Pjesëmarrësit bashkëbiseduan me autorin jo vetëm për krijimtarinë e tij letrare enciklopedike më të fundit, por edhe për tema të ditës në lidhje me mendimin, filozofinë dhe letërsinë aktuale. Në këtë event u bisedua rreth disa prej veprave të Kullës si “Marrëdhëniet shqiptaro amerikane”, “Antologjia e mendimit shqip”, enciklopeditë antologjike të mendimit shqiptar etj. Vepra trevëllimëshe “Enciklopedia antologjike e mendimit shqiptar, 1807-1957”, mund të konsiderohet si një vepër shumë e vyeshme për çdo shqiptar, për të njohur më mirë vetveten dhe patriarkët e mendimit shqiptar. Në këtë vepër, autori Ndriçim Kulla ofron një panoramë të plotë të këtij mendimi, duke u futur thellë në kohë, qysh në vitin 1807 me esenë e studiuesit dhe juristit, Engjëll Mashi, e duke sjellë punime të kokave më të shquara të kohës, si: Jeronim De Rada, Faik Konica, Gjergj Fishta, Ismail Qemaili e Fan Noli, deri në vitin 1957, ku edhe pse nën diktaturë, mendimi shqiptar arriti të mbijetonte me vështirësi.
Në realizimin e këtij aktiviteti vlen të theksohet angazhimi i bashkisë së Durrësit dhe institucioneve lokale të qytetit si dhe shoqata “Durana”, si ideatore e eventit më të rëndësishëm kulturor zhvilluar për çdo vit në qytetitn bregdetar. Organizimi i tij është ngjarja më e madhe kulturore përsa i përket librave që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Panairi Ndërkombëtar i Librit Shqip është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që ka si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim.