Pas gjashtë netësh intensive dhe atmosfere në qytetin e Durrësit, ka përfunduar Panairi Ndërkombëtar i Librit. Organizatorët, botuesit dhe pjesëmarrësit, kanë qenë njëzëri të kënaqur për këtë iniciativë të konkretizuar për herë të parë në qytetin bregdetar.

Aqif Hysa, në cilësinë e kryetarit të shoqatës “DURANA” dhe një prej organizatorëve të Panairit të Librit, ka pohuar se “Ecuria e librit në këndvështrim të përgjithshëm është pritur shumë mirë, kjo hedh poshtë idenë që lexuesi është indiferent. U munduam që të krijojmë “gërvishtjen” ndaj idesë që nuk lexohet, në mos e thyem këtë mendim, filluam t’i japim goditjen e parë këtij mentaliteti.

Panairi Ndërkombëtar i Librit Durrës, mbajtur për herë të parë në Durrës mund ta themi me plot gojë që ka qenë një sukses, duke filluar që nga pjesëmarrja e gjerë e shtëpive botuese,  të pjesëmarrja e qytetarëve jo vetëm për të vizituar stendat, por duke u bërë dhe blerës të shumë titujve që ofroheshin në to dhe deri te mendimi pozitiv i përhapur kudo për këtë aktivitet, i pari i këtij lloji në Durrës. Natyrisht, merita kryesore e këtij realizimi është e Bashkisë së qytetit, Autoritetit Portual Durrës dhe gjithë strukturave lokale që asistuan në mbarëvajtjen e Panairit të Librit”.

Ndërkohë, aktiviteti përmbyllës ka vlerësuar me titullin “Nderi i Panairit Ndërkombëtar të Librit”, poetin e shquar Adem Istrefi, i cili ka nderuar aktivitetin me prezencën e tij.  Poeti i mirënjohur kosovar, Adem Istrefi njihet gjerësisht për kontributin e tij të vyer në letërsi, në zhanerin e poezisë dhe prozës, veprat e të cilit janë një vlerë e shtuar e letërsisë shqipe. Panairi Ndërkombëtar i Librit në Durrës, u çel në datën 2 gusht deri më datë 7, vlerësimet dhe analizat e para flasin për një sukses të realizuar.

Pjesëmarrëse në këtë Panair ishin 40 shtëpi botuese nga Shqipëria, 20 nga Kosova, 1 nga Londra, 3 nga Maqedonia, 1 nga Bukureshti (Rumania), 3 nga Greqia, 2 nga Mali i Zi, botimet e të cilave kultivojnë fjalën shqip në vendet ku ato ushtrojnë aktivitetin e tyre. Në realizimin e këtij aktiviteti vlen të theksohet angazhimi i bashkisë Durrësit dhe institucioneve lokale të qytetit si dhe shoqata “DURANA”, si ideatore e eventit më të rëndësishëm kulturor, zhvilluar për këtë vit në qytetin bregdetar. Ky është Panairi i parë i Librit që zhvillohet në qytetin e Durrësit, nga Shoqata “DURANA”në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe Autoritetin Portual Durrës. Organizimi i tij është ngjarja më e madhe kulturore për sa i përket librave që zhvillohen jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Panairi Ndërkombëtar i Librit Shqip po shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që ka si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim.