Orët e pasdites së të martës ishin të fundit të Muzeut Arkeologjik Durrës. Por edhe pse drejt mbylljes në të nuk mungonin turistët që shihnin nga afër objektet antike.

Për një vit me radhë ai do të qëndrojë i mbyllur për t’iu nënshtruar një rikonstruksioni të plotë, të financuar nga programi i BE-së, Eu4culture.

Restaurimi i tij pritet të kushtojë rreth 350 milionë lekë dhe në tetor të vitit të ardhshëm muzeu do të hapë dyert me një konceptim komplet të ri dhe funksional në të tre katet e tij.

“Mbyllim Muzeun Arkeologjik për shkak të rikonstruksionit, për të patur pas një viti një muze krejt ndryshe nga ky që kemi sot. Më të bukur, më të mirë, me artefakte më shumë, me një qasje krejt ndryshe nga kjo që kemi sot për turistët, vendas dhe të huaj. Do të ekspozojmë objekte të reja që nuk janë parë deri më sot, që do t’i shërbejnë jo vetëm turistëve. por edhe atyre që kanë dëshirë të vijnë të hulumtojnë dhe t’i studiojnë ato. Me rihapjen pas një viti do të jenë të vizitueshme të 3 katet e muzeut, por edhe oborret”,- thotë për “DurrësLajm” drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj.

Pas tërmetit, BE u angazhua me një program të veçantë për restaurimin e siteve arkeologjike dhe historike si dhe muzeve, që mbetën të dëmtuara nga tërmeti. Përveç Muzeut Arkeologjik, restaurimit i janë nënshtruar edhe Torra Veneciane, Hamami etj.

Ky vit ka qenë mjaft i mbarë përsa i përket turizmit kulturor në Durrës. Shifrat e vizitorëve në janar-shtator 2022, janë rreth 12 mijë, ndërsa një vit më parë rreth 5000.

“Përveç turistëve, kemi pasur edhe shumë aktivitete kulturore, rreth 36 të tilla. Në këtë mënyrë kemi pasur mundësi t’u ofrojmë qytetarëve të Durrësit përmes ekspozitave, promovimeve të librave, diskutimeve mbi trashëgiminë kulturore etj një akses më të madh në muze”,- thotë Ramohitaj.   

E ndërsa Muzeu Arkeologjik do të nisë të restaurohet, në muajin tetor pritet të hapë dyert Torra Veneciane.  

M.B.