Eshtë mbyllur në Durrës Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës. Edhe në këtë edicion të 14-të, ai ka tërhequr vëmendjen, jo vetëm të artdashësve durrsakë, por dhe të pushuesve në qytetin bregdetar.
Festivali është zhvilluar në ambjentet e Muzeut Arkeologjik, ku nga data 4 deri më 21 korrik kanë performuar grupe të njohur artistikë nga vendi dhe bota. Sipas organizatorëve, edhe këtë vit aktiviteti i ka përmbushur të gjitha pritshmëritë.
Të 7 koncertet e dhëna sipas kalendarit të përcaktuar janë mirëpritur nga dashamirësit e artit, që kanë zgjedhur t'i kalojnë orët e mbrëmjeve nën tingujt e muzikës klasike.
Përkrah Ansambleve të njohura të ardhura nga vende të huaja kanë performuar edhe instrumentistë shqiptarë të njohur e aktivë në skenat shqiptare dhe më gjerë.
Ky Festival, po kthehet në traditë, ku parakalojnë kultura të vendeve të ndryshme, që marrin dhe japin në vazhdimësi nga njëra-tjetra.