Pas rreth 7 orësh, ka përfunduar mbledhja e kryetarit të Partisë Socialiste, njëherësh kryeministrit, Edi Rama, me të deleguarit politikë dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare, e zhvilluar këtë të dielë në Pogradec.
Gjatë takimit është diskutuar gjerësisht mbi dokumentin “Besa” dhe mënyrat për përmirësimin e tij, me synimin për të ofruar një alternativë qeverisëse më të mirë për qytetarët.
Në takim janë ndarë opinionet dhe reflektimet e disa prej pjesëmarrësve mbi dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike” ndërsa pjesë e diskutimeve ka qenë edhe çështja e shkrirjes së bashkive.
Mësohet se Rama ka pyetur drejtuesit politikë të bashkive që pritet të preken nga shkrirja për arsyet e revoltës ndaj Partisë Socialiste, duke u kërkuar gjithashtu që t’u shpjegojnë qytetarëve se një proces i tillë do të sillte më shumë shërbime dhe në një kohë më të shpejtë.
Kryeministri u ka kërkuar gjithashtu drejtuesve politikë të nisin të mendojnë për emrat që do të garojnë në zgjedhjet lokale të vitit 2027, duke kërkuar figura që janë më pranë komunitetit.
Sa i përket dokumentit “Besa”, Rama është shprehur se ai duhet t’u shpërndahet jo vetëm deputetëve, por edhe kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të partive përkatëse, në mënyrë që të gjithë të njihen me përmbajtjen e tij. Ai u ka kërkuar gjithashtu drejtuesve politikë më shumë prani në komunitet.





