TIRANE,9 shtator 2013 – “Më nderin që më ofron mosha dhe përvoja shumëvjecare, kam kënaqësinë të deklaroj të hapur mbledhjen e parë të legjislaturës së VIII- të kuvendit të Shqipërisë”, më këto fjalë të deputetit Namik Dokle u çel seanca e parë e legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë, pas ekzekutimit të himnit kombëtar, ku të gjithë deputetët qëndruan në këmbë.
Seanca pas refuzimit të ish-kryeministrit të vendit Sali Berisha u hap nga Namik Dokle si deputeti më i vjetër, i cili në fjalimin e tij të shkurtër nuk harroi të vinte në dukje nisjen e seancës pa bojkot nga palët, teksa u bëri apel grupeve parlamentare për bashkëpunim dhe mirëkuptim në respekt të votës së popullit.
Dita e sotme shënoi konstituimin e trupës së re parlamentare prej 140 anëtarësh, të cilët do të nisin punën vetëm pas verifikimit të mandateve. Seanca u ndoq nga presidenti Nishani, zyrtarë të lartë të vendit, përfaqësues të trupit diplomatik, të komuniteteve fetare etj. Deputetët e koalicionit të majtë i propozuan Presidentit Bujar Nishani mandatimin e Edi Ramës si Kryeministër i Shqipërisë.
Seanca e parë parlamentare u ndoq nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nga përfaqësues të trupit diplomatik, të komuniteteve fetare, si dhe nga drejtues të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri. Të pranishëm në sale edhe familjarët e viktimave të 21 janarit.
Në këtë seancë të parë u ngrit edhe Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili, sipas rregullores përbëhet nga 9 deputetë, që u zgjodhën sot. Ky komision ka dy ditë kohë për të kontrolluar përputhshmërinë me ligjin të mandateve të 140 deputetëve.
Pas hartimit të një raporti nga ana e këtij komisioni, pritet që një ditë më pas, pra më 10 shtator, të kryhet betimi i deputetëve. Menjëherë pas kësaj, po në bazë të rregullores, pritet që rreth 15 deputetë t’i drejtohen Kuvendit me kërkesën për të zgjedhur kryetarin e tij, që do të jetë Ilir Meta. Procedura vijon më tej, me votim të fshehtë. Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Dokle do t’i lirojë atij vendin dhe më pas do të jetë ky kryetar që, pasi të mbajë fjalën e rastit, të njoftojë edhe datën dhe orën e mbledhjes së Kuvendit, kur kryeministri do të bëjë publik programin e qeverisë së re.Në seancën e sotme u zgjodh edhe Sekretaria e Përkohshme e Kuvendit, me anëtarë 3 deputetët më të rinj të Kuvendit, (Ylli Shehu, Olta Xhaçka dhe Klajda Gjosha). Më pas, drejtuesi i seancës komunikoi vendimin për thirrjen nesër të parlamentit (ora 11:00), ku pritet paraqitja e raportit të verifikimit të mandateve të secilit prej deputetëve fitues në zgjedhjet e 23 qershorit, të cilët më pas do të bëjnë dhe betimin.
RAMA PROPOZOHET SI KRYEMINISTËR TEK NISHANI
Ora 19:00 Aleatët dhe deputetët e PS-së firmosin kërkesën për Presidentin e Republikës Bujar Nishani për të mandatuar formimin e qeverisë së re. Sipas Kushtetutës (neni 96), Presidenti i Republikës në fillim të legjislaturës së re, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
META: MBARËVAJTJE DEPUTETËVE DHE LEGJISLATURËS SË RE
Ora 18:40- Pas seancës së parë të Kuvendit, kreu i LSI-së, Ilir Meta që pritet të mbajë që nga dita e nesërme edhe postin e kryetarit të Kuvendit bëri një urim të shkurtër. Meta i uroi “Mbarëvajte deputeteve dhe legjislaturës së re”.
ARVIZU DHE SEQUI: SFIDA E PARLAMENTIT, INTEGRIMI
Ora 18:35 Kreu i prezencës së BE-së në Tiranë Ettore Sequi dhe ambasadori në ikje i SHBA-së Aleksandër Arvizu të cilët e kanë përcjellë nga salla zhvillimin e seancës plenare e kanë cilësuar si ditë historike celjen e punimeve të sesionit të ri parlamentar. Ambasadorët i kanë bërë apel klasës politike që të fokusohet tek integrimi evropian i vendit.
“Mendoj se është një ditë e rëndësishme. Sot është një ditë historike pasi ky Parlament nis me prioritete të pastra , integrimit në BE, të cilën shpresoj se do e marrë së shpejt”, tha Sequi.
“Dëshiroj të shpreh përgëzimet më të mira në emër të SHBA 140 deputetëve të sapo zgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë. Rreth 40% janë të rij dhe 40 % prej tyre po rikthehen. Gjithashtu shumë i kënaqur me numrin e grave të zgjedhur si deputete dhe në qeveri. Qartazi kjo është ditë për tu festuar për popullin shqiptar. por pra ka shumë punë për tu bërë. Të gjithë do jenë këtu, presim me kënaqësi zhvillimin e debate konstruktive që do të zhvillohen për axhendën evropiane ë vendit. Sa i përket SHBA jemi të kënaqur që kemi marrëdhënie të shkëlqyera si me mazhorancën e vjetër ashtu dhe të re”, tha Arvizu.
/balkanweb/





