Teksa Kuvendi pritej të niste seancën plenare, debatet brenda sallës do të nisnin para orarit zyrtar.
Kjo pasi deputetët e opozitës vijuan edhe këtë të enjte përpjekjen e tyre për të bllokuar funksionimin e parlamentit derisa sipas tyre, t’u respektohen të drejtat kushtetuese si ajo e ngritjes së komisioneve hetimore.
Nga pamjet e publikuara nga salla, deputetët e opozitës të pranishëm në sallën e seancave plenare të Kuvendit patën dhe përplasje të shumta verbale mes tyre dhe deputetëve të mazhorancës.
Deputetët e opozitës kanë përmbysur karriget e sallës, ndërsa debatonin pafundësisht me deputetët e mazhorancës.
Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha u shpreh nga brenda sallës se “Rama ka planifikuar të përdorë dhe ushtrinë si në 1990, por asgjë nuk e shpëton”.
“Le të përdorë ç’të dojë, por asgjë nuk e shpëton atë nga revolta, nga revolta e popullit opozitar për kushtetutën dhe të drejtat e tij. Ne jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese, të mohuara në mënyrën më brutale, por që janë interesi, në vlerësimin tonë, i të gjithë shqiptarëve që duan pluralizmin, por janë interesi i të gjithë atyre që votuan kundër qeverisë, për një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë, kryetarin e të cilës, përfaqësuesin e të cilës, ta caktojë Edi Rama. Kjo nuk mund të ndodhë.
Salla e Kuvendit vijoi të ishte me karriget e kthyera mbrapsht nga deputetët e opozitës, ndërkohë që deputetët e tjerë refuzuan të merrnin fjalën sipas rendit të ditës, duke i kërkuar Nikollës kalimin menjëherë tek miratimin i projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës.
Dhe ndërsa nisi votimi i drafteve, ishte deputeti demokrat Ervin salianji i cili do ta përshkallëzonte kaosin në sallë, duke ndezur tymuese në foltoren e Kuvendit, një situatë që do të zgjaste për minuta me radhë, por pa mundur të ndalej votimi i drafteve nga ana e mazhorancës.