120 fëmijë të shkollës “BishtKamëz” të fshatit Fllakë nuk kanë nisur mësimin prej tre ditësh. Sot prindërit e tyre së bashku me fëmijët protestuan para Drejtorisë Arsimore të Durrësit. Shkak është bërë zhvendosja e fëmijëve drejt shkollës së fshatit Qerret, pasi shkolla e tyre do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të planifikuar nga bashkia Durrës.

Banorët thonë se ishin të papërgatitur nga ky lajm, dhe se zhvendosja e fëmijëve në shkollën e fshatit Qerret nuk është zgjidhja e duhur pasi është larg dhe transporti i 120 fëmijëve të klasës së parë deri në të nëntë me një mjet të vetëm nuk përmbush asnjë kusht minimal.

Nuk kemi ditur asgjë, na ka ardhur si bombë. Një autobus 30-vendësh për 120 fëmijë, që e kam 1 km larg shtëpie, ta coj fëmijën deri aty. Fëmijën e klasës së tretë ta fusim me gjithë ata fëmijë aty, si është ajo punë? Ku do më rrijë fëmija mua prej orës 7:00 deri në orën 13:30 që do presë fëmijën e klasës së nëntë sa të mbarojë, me hip në autobus me u shtyp me njëri-tjetrin”, shprehet e shqetësuar një prej gjysheve të vogëlushëve.

Prindërit takuan përfaqësues të Drejtorisë Arsimore por nuk gjetën zgjidhje për kërkesën e tyre që mësimi të bëhet në fshatin e tyre deri në rikonstruksionin e shkollës. Ata shprehen se nuk do të tërhiqen nga kjo kërkesë dhe do nuk do t’i çojnë në shkollë fëmijët për këtë vit arsimor. Shkolla “Bisht Kamëz” duhet të rikonstruktohet në kohë të shpejtë që fëmijët të mos udhëtojnë 2 orë në ditë vajtje-ardhje.