Xhamia historike e Et’hem Beut në qendër të Tiranës, ka mbyllur dyert përkohësisht pasi do t’i nënshtrohet procesit të restaurimit.

Kjo është konfirmuar nga Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, i cili theksoi se xhamia e Et’hem Beut do t’i nënshtrohet pas kaq shumë vitesh restaurimit, si pjesë e marrëveshjes mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Gurra nënvizoi po ashtu se procesi i restaurimit do të nisë zyrtarisht të hënën dhe pritet të zgjasë deri në dy vite. Gjatë kësaj kohe, në këtë xhami nuk do të ketë as shërbesa fetare.

Marrëveshja e firmosur javën e kaluar mes Ministres Mirela Kumbaro dhe kreut të KMSH-së Skënder Bruçaj, parashikon restaurimin e 5 monumenteve kulture të besimit islam dhe konretisht:

– Xhamia Mbret, Berat;

– Xhamia e Beqarëve, Berat;

– Teqeja e Helvetive, Berat;

– Xhamia e Et’hem Beut, Tiranë;

– Xhamia e Pazarit, Gjirokastër;

Që nga 1967 e deri më 1991, Et’hem Beu mbeti një monument kulture që ruhej nga shteti, pa iu ndryshuar funksioni, siç ndodhi me të tjera xhami të cilat u shndërruan në vatra kulture apo magazina.