Nga BUJAR QESJA

Lajm i trishtë vjen nga kryeqyteti. Bëhet me dije se largohet nga jeta, emri i njohur i shoqërisë civile. Ky është intelektuali, kuadri dhe drejtuesi i Shoqatës “Tirana” Arben Tafaj.

Kjo humbje e madhe, e ndodhur në minutat e para të së martës së 3 dhjetorit 2024, ka prekur opinionin qytetar jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës.

Beni ishte njeri shembull, hokatar dhe shumë i komunikueshëm. Veçanërisht në kohën kur shoqatën “Durrësi”, e drejtonin intelektualë të njohur me prestigj qytetar si Halil Myderrizi, Salvator Sotiri, Shpëtim Metani, Koçi Koreta, Agim Shehu, Polikseni Koçi, Edmond Bushi, Selami Dakoli, Nikolla Jorgoni etj. emri dhe pesha e Arben Tafaj ishin parësore.

Shoqata “Durrësi” e fillim viteve 90-të, ka patur lidhje dhe bashkëpunim aktiv me Shoqatën “Tirana” me kryetar të mirnjohurin Arben Tafaj. Mjaft aktivitete janë bërë të përbashkëta, si “Sofra Tiranase”, ashtu dhe tri festat qendrore të Shoqatës “Durrësi” si “Festa e Ullirit”, “Mikpritja durrsake” dhe “Festa e Detit”.

Arben Tafaj do të mbahet mend si njeri me vizion, me bonsensin e kohës, me bindjen se thellimi i miqësisë ndërmjet dy qytetarive të Durrësit dhe Tiranës, të ishte dhe një shembull për qytete të tjera, në lartësimin dhe afrmimin e vlerave të shqiptarëve.

Largimi në moshën 63 vjeçare nga jeta, është humbje e madhe për Shoqatën “Tirana”, por edhe për çdo kryeqytetas që shikoi tek Arben Tafaj, modelin e shoqërisë së civilizuar dhe udhëhequr nga parimet e demokracisë dhe lirive të të drejtave njerëzore.

Lamtumirë i nderuar mik!