Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar publikisht nga ambientet e vuajtjes së dënimit, pas mbylljes së hetimeve,  duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë ftesë apo shkresë zyrtare nga SPAK për një paraqitje të planifikuar mëngjesin e sotëm.

Meta shprehet se është njoftuar vetëm në mënyrë verbale nga një gardian rreth orës 08:30, se duhej të paraqitej në SPAK në orën 09:50. Sipas tij, nuk u dha asnjë sqarim për arsyen e kërkesës.

“Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian më komunikoi verbalisht se më kërkonin në SPAK,” shkruan Meta në një postim në rrjetet sociale.

Ai shton se nuk mund të paraqitej për shkak se avokati i tij, Kujtim Cakrani, ndodhej jashtë shtetit në atë moment dhe, për arsye procedurale, prania e tij është e domosdoshme.

Meta shpreh vendosmërinë për të përballuar procesin që ai e cilëson si “farsë politike”, duke theksuar se pas gjashtë vitesh hetimesh është i gatshëm të përballet në gjykatë.

Reagimi i plote i Ilir Metes

Për transparencë me opinionin publik dhe në ndihmë të gazetarëve në funksion të mirinformimit

Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian i IEVP “Jordian Misja” më komunikoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin te SPAK, pa dhënë asnjë lloj sqarimi.

U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian.

Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur.

Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme:

ZERO fakte penale!

ZERO prova penale!

ZERO akte dhe vendime të paligjshme!

ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit!

ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit!

ZERO pasuri të paligjshme!