Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka deklaruar sot në parlament se shkolla e “Mehmet Akif” u mbyll pas një vendimi të bazuar tek organet e drejtësisë që i dhanë të drejtë Ministrisë së Arsimit për mbylljen e saj.
Ministrja theksoi se qeveria kishte marrë të gjitha masat për të regjistruar dhe sistemuar të gjithë nxënësit në institucione të tjera arsimore.
“Më vjen keq që ju në letër shkruani “Siç janë të dhënat në media, kemi të bëjmë me një vendimmarrje abuzive, të pajustifikuar dhe totalisht vasale ndaj palëve të treta”. Jo të gjitha mediat kanë dalë në këtë konkluzion. Por në respekt të mediave, edhe atyre që kanë dalë në konkluzion të gabuar, as ju e as ne, nuk mund t’u referohemi medias për të vlerësuar ligjshmërinë e një vendimi.
Këtë mund ta bëjnë vetëm organet e drejtësisë. Dhe gjykata e ka thënë fjalën e parë, edhe në rastin e kopshtit edhe në rastin e shkollës duke i dhënë të drejtë Ministrisë së Arsimit dhe Këshillit të Ministrave për mbylljen e këtyre dy institucioneve.
Të gjithë nxënësit janë të sistemuar në shkolla dhe kopshte të tjera dhe po vijojnë normalisht procesin mësimor.
Kontretisht nga 159 nxënës të shkollës Mehmet Akif Ersoy, të gjithë u pajisën me dokumentacionin e nevojshëm dhe janë transferuar:
103 prej tyre në kanë filluar mësimin në Turgut Ozal Durrës, 51 në “Turgut Ozal” Tiranë, 2 në gjimnazin Elite Tiranë, 1 në Kristaq Rama, 1 në Gjimnazin Raqi Qirinxhi, 1 në Gjimnazi Fuat Ballabani Bilisht.
I përmenda për të thënë dhe vërtetuar që nuk i është cenuar e drejta kushtetuese për shkollim nxënësve. Sepse që të gjithë tashmë janë sistemuar, dhe po vijojnë mësimin si nxënësit e tjerë,” tha ajo.