Drejtoresha e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës, Ledi Imeraj në një intervistë për media, tha se vendimi i qeverisë për të mbyllur platformën TikTok, ka ardhur pas një sërë analizash.

    “Nuk ka një mekanizëm se çfarë është hetimi i të dhënave. Pastaj është algoritmi që krijon varësi apo përkushtimi në këto platforma. Heqin vëmendjen dhe nuk kemi mundësi të përdorësh trurin në mënyrë kreative. Ato janë vendime të qeverisë dhe janë marrë duke analizuar të dhëna dhe duke informacion nga prindërit. Them që ka njëfarë caku dhe mendoj se Shqipëria, qeveria ka menduar se caku është arritur”, – thotë Imeraj.

    Sipas drejtoreshës së AIE-së, është mirë që shqiptarët të gjejnë rrugë në platforma alternativa si Facebook apo Instagram për të krijuar një përmbajtje të tyren.

    “Në rastin e TikTok, kompania menaxhuese është e lokalizuar në Kinë. Kam parë dhe disa video që thonë se është në Singapor. Në shumë shtete, përfshirë SHBA, Kanadanë, qeveritë kanë parë se këto platforma përbëjnë rrezik për shpërndarjen e të dhënave të sigurisë së shteteve, kjo e bën si nga format kryesore të marrjes së këtij vendimi. India e ka mbyllur TikTok-un”, – shprehet ajo.

    Për eksperten Imeraj, nëse platformat përdoren në mënyrën e duhur, pa abuzime, nuk krijojnë asnjë problem te fëmijët apo grup-moshat e tjera.

    “Facebook është përdorur në mënyrë të suksesshme në fitoren e presidentit Obama. Ambientet sociale, kur përdoren në mënyrë të rregullt, janë të suksesshme dhe japin sukses. Duhet që këto platforma të jenë të përgjegjshme dhe ky është mesazhi që i jepet, që t’i shërbejnë qytetarëve.

      Me teknologji mund të bësh ç’të duash. Teknologjia kontrollohet nga njerëzit. Qoftë nga njerëzit që përdorin inovacionin duhet të jetë një bisedë e hapur, të përdoret në mënyrë pozitive, për të fuqizuar ekonomitë, bizneset, shtetet dhe njerëzit. Ekzistojnë mundësitë dhe shembujt e suksesit i kemi”,- tha Imeraj.