Qytetarët e Himarës votuan të dielën për ta zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë së tyre, në zgjedhje të parakohshme të thirrura pasi kryetarit të zgjedhur iu shfuqizua mandati për shkak të dënimit me burgim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se në orën 19:00 qendrat e votimit u mbyllën dhe numërimi i votive do të nisë sapo të dorëzohet kurtia e fundit në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ).

KQZ tha se procesi u zhvillua i qetë dhe, sipas të dhënave paraprake, pjesëmarrja rezulton 36.9% ose 2 % më shumë sesa në zgjedhjet e 14 majit të vitit 2023. Megjithatë, rreth gjashtë mijë votues nuk e ushtruan dot të drejtën e tyre për të votuar për shkak se kartat e tyre të identitetit kishin skaduar. Kjo u pranua nga kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.

“Është e vërtetë që janë 6 mijë votues të cilëve dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme. Do të duhet të them që e njëjta shifër votuesish ka qenë dhe në zgjedhjet e kaluar”, tha ai.

Celibashi gjithashtu bëri të ditur se gjatë vëzhgimit në terren ishte vërejtur se në një qendër votimi persona të paautorizuar mbanin shënim emrat e votuesve, dhe pas raportimit dhe ndërhyrjes, ata u larguan. Ndërsa, në një tjetër qendër votimi, komisionerët nuk lejuan gazetarët që të filmojnë dhe ndjekin procesin. Kritika për procesin pati kreu i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që përfaqëson minoritetin grek, Vangjel Dule, i cili pretendoi se kandidati socialist e nisi garën “me 1.000 vota plus” ndaj rivalit të tij, Petro Gjikuria.

Qytetarët e bashkisë jugore të Shqipërisë votuan për të zgjedhur mes Vangjel Tavos nga Partia Socialist në pushtet, dhe shqiptaro-amerikanit, Petro Gjikuria, nga opozita. Muajin e kaluar, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, thirri zgjedhje të reja në Himarë, pasi Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ia hoqi Alfred Belerit mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, menjëherë pasi Gjykata e Apelit e mbajti në fuqi dënimin e tij me burgim.

Vangjel Tavo dha dorëheqjen si prefekt i qarkut të Vlorës për të garuar për bashkinë e Himarës. Ai ka qenë më herët deputet i partisë së Ilir Metës dhe ka mbajtur edhe postin e ministrit të Shëndetësisë.

Petro Gjikuria është shtetas shqiptaro-amerikan. Ai prej disa vitesh ka jetuar në Uashington dhe është pjesë e të ashtuquajturës “Federata Panepirote e Amerikës”. Ai ka qenë një ndër mbështetësit e Alfred Belerit, që ndodhet në burg i dënuar për korrupsion zgjedhor, së fundmi i zgjedhur eurodeputet në Greqi. Gjikuria u propozua nga shoqata e pakicës greke në Shqipëri “Omonia” dhe partia që përfaqëson këtë minoritet, Partia për të Drejtat e Njeriut. Propozimi i tyre u mbështet nga partitë opozitare.

Zgjedhjet e 4 gushtit pritet t’i japin zgjidhje një situate të paprecedentë, që zgjat prej thuajse 15 muajsh. Dy ditë para zgjedhjeve vendore të vitit 2023, kandidati i opozitës Alfred Beleri u arrestua nën dyshimet për blerje vote. Edhe pse ndodhej në paraburgim, ai fitoi garën kundër Jorgo Goronit, kryetarin në detyrë, nga Partia Socialiste.

Pjesëmarrja në votime ishte e ulët, megjithatë Beleri arriti të fitonte me vetëm 19 vota dallim. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin si kryetar bashkie të Himarës edhe pse ndodhej Beleri ndodhej në paraburgim në pritje të gjyqit.

Beleri nuk u betua asnjëherë si kryetar bashkie. Kërkesat e tij për të kryer betimin, ndërsa vijonin hetimet, u refuzuan nga drejtësia shqiptare. Në këto kushte bashkia e Himarës u drejtua nga kryetari në detyrë Jorgo Goro, edhe pse i kishte humbu zgjedhjet.

Më 23 mars të këtij viti, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, Goro u arrestua nën dyshimet për korrupsion. Denoncimi ndaj tij ishte bërë disa kohë më parë nga Alfred Beleri dhe kishte të bënte me pretendimet se ka firmosur dokumente të falsifikuara për të tjetërsuar dy prona në bregdet.

Me dy kryebashkiakë në paraburgim, drejtimi i bashkisë së Himarës i kaloi nënkryetares Blerina Bala. Emërimi i saj më 29 mars të këtij viti, u shoqërua me tensione të forta në Këshillin Bashkiak, ndërsa mbështetësit e Fredi Belerit debatuan edhe me Vangjel Tavon, në atë kohë prefekt i Qarkut Vlorë. Brenda pak javësh Blerina Bala dha dorëheqjen “për arsye familjare”. Në krye të bashkisë së Himarës u komandua, nënkryetari tjetër Arqile Bollano.

Më 25 qershor, gjykata e Posaçme e Apelit dënoi Alfred Belerin me dy vjet burgim për vjedhje votash. Me këtë vendim, sipas ligjit të dekriminalizimit, Beleri nuk mund të ushtronte detyrën e funksionarit publik.

Organizata e të rinjve të Partisë Socialiste në Himarë iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke kërkuar të shpallte të pavlefshëm mandatin e Belerit. Më 5 korrik komisionari Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dha vendimin që shpallte të pavlefshëm mandatin e Alfred Belerit.

Më pas Kryeministria njoftoi Presidencën për vakancën dhe kreu i shtetit, Bajram Begaj shpalli 4 gushtin si datën e zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Himarës. Rasti i Beleriit nxiti kritika të mëdha në Athinë, ku Ministria e Jashtme tha se “dënimi dyvjeçar është padyshim joproporcional me masën e veprës së supozuar”.

Partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi pastaj kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor, ku ai u zgjodh. Muajin e kaluar, autoritetet shqiptare i dhanë leje Belerit të shkojë në Strasburg për ta bërë betimin si deputet i Parlamentit Evropian. Ai u kthye në Fier për ta vuajtur dënimin me burgim./ REL