Itali, 31 mars 2014 – Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Livorno, Itali, gjatë mbrëmjes së të dielës. Një 82 vjeçar ka mbytur me lidhësen e këpucëve gruan e tij 71 vjeçare dhe më pas ka tentuar të vetvritet.

Mediet italiane raportojnë se 82 vjeçari Mauro Signorini është grindur me të shoqen, Carla, dhe më pas e ka mbytur këtë të fundit. Burri kishte bërë gati litarin për t’u varur dhe vetë, por mbërritja e karabinierëve parandaloi aktin e tij. Këta të fundit ishin njoftuar nga djali i çiftit. Mauro i kishte treguar në telefon të birit se ishte zënë me të ëmën dhe se ajo nuk ndihej mirë. Djali ka telefonuar menjëherë karabinierët, të cilët me urgjencë kanë mbërritur në apartamentin e të moshuarve.

Duket se shkaku i grindjes mes të moshuarve ka qenë ndarja e tyre. I trembur nga fakti se do t’i duhej të jetonte vetëm Mauro ka zgjedhur të mbysë të shoqen. Megjithë moshën e thyer, ai është arrestuar tashmë me akuzën e vrasjes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/