Gjashtë persona kanë humbur jetën gjatë këtij sezoni turistik në plazhet e vijës bregdetare të qytetit të Durrësit. Duhet theksuar se numri më i madh i vdekjeve ka ardhur si pasojë e infarktit tek persona të moshuar, por krahas këtyre rasteve janë regjistruar edhe mbytje të rinjsh.
Rastet më të fundit janë ato të mbytjes gjatë javës që sapo u mbyll të një vajze 23 vjeçare nga Kukësi, që po pushonte në plazhin e Durrësit dhe një djali 21 vjeç nga Cërriku, i cili u mbyt në plazhin e Spillesë.
Për shkak të ndryshimit të kushteve atmosferike dhe dallgëve të krijuara, varkat e marra me qira nga të rinjtë janë përmbysur duke shkaktuar humbjen tragjike të jetës për dy të rinjtë. Po ndërsa trupi i vajzës së re, Fatime Zyberi u gjet vetëm disa orë më vonë, pasi dallgët e kishin nxjerrë në breg shumë larg vendit ku po kërkonin polumbarët, trupi i 21-vjeçarit Ardian Karaj nuk ka mundur të gjendet ende megjithë kërkimet e vazhdueshme.
I riu kishte dalë së bashku me 4 shokë dhe shoqe të tij me pedalone dhe ndodhej rreth 60-70 metra larg nga bregu në momentin kur dallgët përmbysën pedalone, duke i hedhur të gjithë të rinjtë në ujë.
Vlen të theksohet fakti se edhe këtë vit në plazhin më të madh të vendit, në Durrës, nuk ka pasur roje plazhi, për të cilat bashkia e qytetit nuk ka akorduar një fond të veçantë, duke u justifikuar me buxhetin e reduktuar të këtij viti.
Në asnjë nga plazhet e vijës bregdetare të Durrësit nuk ka roje plazhi. Disa vite më parë në plazhin e madh u vendosën vendqëndrimet e zakonshme të rojeve të plazhit. Por kjo strukturë pati jetë vetëm dy vite, ndërkohë që tashmë strukturat e hekurta janë ndryshkur tërësisht.